Sezonin e kaluar Kukësi kishte një lojtar që herë pas here nxirrte ekipin nga situata me golat e tij dhe bëhet fjalë për kroatin Edi Basha. 29-vjeçari ishte i vetmi që u “mbijetoi” largimeve të të huajve këtë merkato vere, me shpresën se do të ishte sërish ai që do t’i garantonte golat skuadrës edhe këtë sezon.

Mirëpo, kjo gjë nuk po ndodh dhe Kukësi ka vuajtur jo pak me golat në këto gjashtë javë të para, ku ka shënuar vetëm pesë, duke mos arritur as mesataren e një goli për ndeshje. Një situatë që askush nuk e mendonte fillimisht, si në klub, ashtu edhe te vetë lojtari.

SITUATA – Kroati është njëkohësisht edhe shënuesi më i mirë i Kukësit aktual me 10 gola në Superiore, por që duket se këtë sezon është “fikur” dhe nuk po preferohet më nga trajneri. Futbollisti, i ndikuar paksa edhe nga dëmtimet, ka humbur shkëlqimin e tij dhe nga një titullar i padiskutueshëm i Longos tek i cili ishin varur shpresat e golit, këtë sezon po qëndron në stol dhe në ndeshjen me Laçin nuk iu rezervua asnjë minutë në fushë.

Në dy sfidat e para me Tiranën dhe Vllazninë, Gega e aktivizoi titullar, por pa lënë gjurmë dhe pa i mbyllur dot 90 minuta të plota, për të ardhur në pikën ku me Dobin as si rezervë nuk po i mundësohen hapësira.

Një nga arsyet që nuk po gjenden hapësira është edhe limiti i të huajve në fushë dhe e pëson pikërisht lojtari i vetëm që u mbijetoi largimeve në verë dhe që aktualisht është shënuesi më i mirë i skuadrës. Edhe për sfidën me Bylisin, gjasat që 29-vjeçari të hidhet në fushë nga minuta e parë duken të pakta, me Dobin që nuk e ka në preferencat e tij.

BYLISI – Ndaj Bylisit, verilindorët kërkojnë të ruajnë vazhdimësinë pas fitores së parë në kampionat. Përballja do të luhet në shtëpi, ku edhe pse pa praninë e tifozëve, nuk ndryshon gjë për të besuarit e Dobit, pasi objektiv kanë vetëm tri pikët. Në fakt, para kësaj përballjeje, Kukësit i vjen në ndihmë paksa edhe historia, pasi në nëntë ndeshjet si pritës, kuksianët nuk janë mundur asnjëherë, madje kanë fituar tetë dhe barazuar vetëm një në vitin 2014.

Nga ana tjetër, edhe në humbjen e fundit që Kukësi ka pasur ndaj Bylisit, atë të dy sezoneve më parë në Ballsh, ka ardhur nga këmbët e Edison Ndrecës, i cili tanimë është në radhët e bluve. Me pak fjalë, çdo gjë flet në favor të tyre para përballjes, ndaj shpresat për tri pikë janë të mëdha, edhe pse mallakastriotët vijnë me një moral të lartë në këtë ndeshje pas ecurisë pozitive në gjashtë javët e para në kampionat.