Vllaznia duhet të bëjë shumë kujdes në ndeshjen me Kamzën. Ky është apeli që ish-futbollisti I saj në vitet ’60 Nikoll Gjergji ka lëshuar për trajnerin Rudi Vata dhe futbollistët aktualë të skuadrës shkodrane. Gjergji ndonëse në moshë, vazhdon të jetë aktiv edhe në rolin e trajnerit teksa me mikun e tij Gjovalin Colaj, stërvisin disa ekipe moshash në Shkodër. Veterani I futbollit shkodran, e ndjek rregullisht Vllazninë në çdo ndeshje. Sigurisht që ka qenë edhe në takimin e fundit që ajo zhvilloi ndaj Skënderbeut dhe në lidhje me këtë ndeshje, ai do thoshte: “Ndaj Skënderbeut pashë në fushë dy skuadra që dhuruan një futboll të bukur por nga ana tjetër, mendoj se të dy trajnerët gabuan taktikisht. Loja e të dy ekipeve ka qenë e përqendruar në mesfushë kryesisht dhe korçarët u duk qartë se kishin ardhur për të mos humbur ngaqë edhe një pikë u bënte punë. Vllaznia në njëfarë mënyre u pajtua me këtë mënyrë loje të kundërshtarit dhe pavarësisht se ushtroi presion, në manovrën sulmuese la për të dëshiruar, ndonëse disa raste u krijuan por që nuk u shfrytëzuan dot. Dhe po nuk shënove sigurisht që nuk mund të fitosh, prandaj dhe për ndeshjet e ardhshme, duhet rregulluar medoemos kjo gjë”. Ndërkohë I pyetur mbi dilemën e kohëve të fundit që ekziston në klubin shkodran për të menduar për të ardhmen apo për të tashmen e kësaj skuadre, specialist Gjergji, do shprehej në mënyrë kategorike kundër planeve për të nesërmen sepse kjo do ta shpërqendronte skuadrën në këto momente. “Askush tek Vllaznia nuk duhet të mendojë për të nesërmen apo për sezonin e ardhshëm. Në lojë janë edhe shumë ndeshje të këtij sezoni dhe skuadra ka mundësi të kapë edhe Kupat e Europës nëse vazhdon këtë ecuri, por nga ana tjetër, të mos harrojmë se nuk jemi shumë larg skuadrave që mund të zbresin nga kategoria. Unë kurrsesi nuk dua ta besoj se mund të ndodh kjo, por nëse kemi hallakatje të mendimeve për të menduar për sezonin e ardhshëm, pa patur gjë të sigurtë në sezonin aktual, do ishte një gabim I madh. Trajnerit Vata I duhet dhënë mbështetja e duhur deri në fund sepse po shoh që tashmë ai po ambjentohet me skuadrën duke kërkuar të fusë idetë e tij tek ajo. Por mbështetja nuk duhet të jetë vetëm formale. Të gjithë në klubin Vllaznia duhet të mendojnë për ndeshjet e tanishme, në mënyrë që skuadra të arrijë të paraqitet sa më mirë si në kupë ashtue dhe në kampionat”-ka thënë Nikoll Gjergji. Megjithatë gjërat nuk duhen shpërndarë aq shumë. Në prag është sfida me Kamzën, të cilën ish-futbollisti I Vllaznisë e konsideron shumë të rëndësishme, madje më tepër edhe se ajo që shkoi me Skënderbeun për kupë. Argumetat ai I jep në fund të prononcimit të tij për “shkodrasport.com” kur do të shprehej: “Ndeshjen me Kamzën unë e shoh shumë delikate.  Biles, ndoshta shumë më tepër sesa ajo e kupës që shkoi me Skënderbeun. Nëse me korçarët, edhe me barazim të gjithë u kënaqën, këtu nuk lejohet rezultat tjetër veç fitores. Mendoj se skuadra I ka të gjitha mundësitë për të fituar, kuptohet duke rregulluar diçka në sulm, por e përsëris, duhet shumë kujdes. Të gjitha skuadrat vijnë në Shkodër me atë idenë se këtu luhet futboll I qetë, futboll I bukur dhe kërkojnë të marrin pikë. Këtë gjë të jeni të bindur se do kërkoj edhe Kamza që mendon të shpëtojë nga rënia prej kategorisë prandaj dhe Vllaznia duhet të bëjë shumë kujdes ndaj saj”.