Në Itali, situata rreth rifillimit të Serisë A mbetet e paqartë. Klubet kanë marrë lejen për të rinisur stërvitjet në grup më datë 18 maj, megjithatë mungon një datë për të zbritur në fushë e për të vazhduar kampionatin aty ku u ndërpre.

Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, ekziston mundësia që në Itali të vendoset rregulli se nëse një lojtar rezulton me koronavirus pas rifillimit, atëherë kampionati të ndërpritet përfundimisht.

Një situatë e cila nuk po kapërdihet lehtë nga Lacio, një klub që ka qenë vazhdimisht pro vazhdimit të garës në fushë duke qenë se në këtë sezon janë edhe pretndentë seriozë për titullin kampion. Së fundmi, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare ka shpërthyer në kritika duke theksuar se qeveria italiane, ndryshe nga ajo gjermane, spanjolle e angleze, nuk po ndihmon futbollin.

Tare merr shembullin e Francës që mbylli futbollin, teksa shprehet se qeveria franceze do të humbasë shumë çështje në gjykata, ndaj shqiptari kërkon të evitojë një verë në kërkim të drejtësisë.

“Nuk mendoj se zoti Spadafora të jetë kaq i papërgjegjshëm. Në Europë ka shumë qeveri si ajo gjermane, spanjolle e angleze që duan ta ndihmojnë futbollin. Në Itali nuk është kështu, madje as Franca që e mbylli para kohe nuk ishte kështu. Por, qeveria franceze do të humbasë shumë çështje në gjykata. Të evitojmë një verë në dyert e gjykatave. Duket sikur po na tallin me të gjithë këto komplikime që po na nxjerrin”, u shpreh Tare. /VipSport/