Federata Shqiptare e Basketbollit ka caktuar datën 5 tetor për hedhjen e shortit të kampionateve kombëtare dhe të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2021-2022.

FSHB kishte bërë fillimisht të ditur se kampionatet do të startonin më 2 tetor, por duke parë se jo të gjitha shoqatat i kanë përmbushur dokumentacionet e kërkuara, federata u ka dhënë disa ditë më tepër kohë duke e shtyrë kështu fillimin e kampionateve.

Gjithashtu, mbetet për t’u parë edhe formula e Superligës pas tërheqjes së Goga Basket, teksa deri më tani federata nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar.

Vetëm disa ditë më parë FSHB zhvilloi Kupën e Federatës, aktivitet që u mbajt në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Durrës dhe që pa të triumfonin Tiranën te meshkujt dhe Flamurtarin te femrat.