Vllaznia ka vuajtur gjatë këtij sezoni për një sulmues cilësor dhe fakti që e vërteton më së miri këtë gjë është mungesa e golit në tre ndeshjet e fundit.

Ndaj Laçit, Bylisit dhe Tiranës, kuqeblutë nuk kanë arritur dot të gjejnë rrugën e rrjetës. Vetë lojtarët, pjestarët e stafit teknik e kanë shprehur shpeshherë në deklaratat e tyre se “Vllaznisë i mungon një sulmues cilësor”.

Por pas ndeshjes me Tiranën, zëvendëstrajneri Safet Osja ka dhënë një lajm tjetër. I pyetur nga gazetarët në lidhje me merkaton në sulm, numri 2 i pankinës kuqeblu është shprehur:

“Nuk besoj se Vllaznia do të jetë më probleme në sulm. Me formën që shfaqi Uenderson në ndeshjen ndaj Tiranës, mendoj se edhe problemet që kemi patur në sulm do të rregullohen”.

Braziliani erdhi në ditët e fundit të merkatos tek Vllaznia dhe u pa qartë se nuk ishte në parametrat e duhur fizikë por me kalimin e javëve forma e tij ka ardhur duke u rritur. Ka shënuar një gol deri tani ndërkohë që në 90 minutat ndaj bardhebluve tregoi personalitet në fushë duke mbajtur skuadrën përpara.

Do të vazhdojë të jetë titullar edhe në ndeshjet e ardhshme Uenderson da Silva Soares? Për këtë duhet pritur ajo çfarë do të vendosë trajneri Jonuz dhe ndihmësit e tij.
© shkodrasport.com