Sipas raportimeve të fundit, rreth 70 futbollistë dyshohet se kanë marrë pjesë në festa luksoze të organizuara në Milano, të cilat janë në qendër të një hetimi nga Prokuroria për shfrytëzim dhe favorizim prostitucioni.
Sipas burimeve, mes pjesëmarrësve ka edhe lojtarë të regjistruar në klube të njohura të Serie A si Inter, Milan, Juventus, Sassuolo dhe Hellas Verona, të cilë merrnin shërbime seksuale. Megjithatë, deri në këtë fazë, asnjë prej futbollistëve nuk rezulton nën hetim.
Hetimet zbulojnë se këto evente organizoheshin edhe gjatë periudhës së pandemisë, kur kishte kufizime për grumbullimet. Sipas dëshmive, festat përfshinin shërbime eskorte dhe aktivitete të tjera në ambiente luksoze.
Rasti ka dalë në dritë pas denoncimit të një vajze, e cila ka treguar për mënyrën e funksionimit të rrjetit të dyshuar, të menaxhuar nga disa persona që tashmë ndodhen në arrest shtëpie. Ata dyshohet se organizonin paketa të plota “pas ndeshjeve”, duke përfshirë shoqërim, transport dhe qëndrime në hotele të nivelit të lartë.
Në dosjen hetimore përfshihen edhe përgjime, ku dalin detaje të ndjeshme mbi marrëdhëniet mes pjesëmarrësve dhe vajzave të përfshira, por identitetet e futbollistëve janë mbajtur të fshehta nga autoritetet. Hetimet vijojnë dhe pritet të zbardhin më shumë detaje mbi një çështje që mund të ketë pasoja të mëdha për imazhin e futbollit italian.


