Pas katër humbjeve rradhazi, Vllaznia në basketboll për meshkuj vijon të qëndrojë në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit. Realisht, ky pozicion nuk i shkon aspak për shtat skuadrës kuqeblu, prej së cilës tifozëria pret të fitojë titullin kampion, por me këtë situatë kaq kritike, Vllaznia në basketboll për meshkuj rrezikon seriozisht rënien nga Superiorja e basketbollit.

Edhe trajneri i kuqebluve, Damian Bekteshi, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes me Tiranën, ka vijuar të shprehë sërish shqetësimin e situatës së vështirë financiare që po kalon Vllaznia në basketboll për meshkuj.

Tashmë, ata prej kohësh janë në pritje të reagimit të institucionit të Bashkisë së Shkodrës, që deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv. Megjithatë, mbetet për t’u parë në të ardhmen nëse mund të ketë ndonjë reagim nga Bashkia e Shkodrës apo edhe nga ndonjë biznesmen tjetër i qytetit.

Nga ana tjetër, për t’u vlerësuar ishte edhe deklarata e trajnerit të Tiranës, Erkand Karaj, i cili shfaqi keqardhjen e tij për gjendjen e Vllaznisë në basketboll për meshkuj.

Tekniku kryeqytetas shkoi deri aty sa i bëri apel edhe mediave të Shkodrës ta ngrejnë zërin sa më shumë përballë kësaj situate, sepse basketbolli shqiptar ka nevojë për Vllazninë e traditës.
Maringlen ZHIVANI