“OverSport” dhe Andi Lila kanë publikuar formacionin e javës së 10-të në Abissnet Superiore. Mes 11-më të mirëve të përzgjedhur nga ish-futbollisti i njohur, është edhe një futbollist i Vllaznisë, “kolonë” e rëndësishme e ekipit shkodran.

Kështu, bëhet fjalë për Esat Malën, mesfushorin e Vllaznisë. Në fakt, 24-vjeçari spikati në këtë javë ndaj Erzenit, teksa shënoi edhe golin e dytë për shkodranët, por që në fund nuk vleu për trepikëshin.

Realisht, kur u zyrtarizua te Vllaznia, të gjithë thanë se shkodranët kanë fituar një futbollist cilësor dhe javë pas jave, shtatshkurtri po tregon progres në performancën e tij. Edhe pse shkodranët barazuan 2-2 me Erzenin, Mala ishte në një ditë të mirë.

Gol i shënuar dhe i kudogjendur në fushën e blertë. Mala është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar dhe shtatshkutri e bëri “autostradë” linjën e djathtë të fushës, teksa ky krah i takoi krejtësisht atij. I pamarkueshëm në sulm dhe shpesh duke ndihmuar prapavijën me kthimet e tij.

Realisht, Esat Mala duket sikur ka një jetë te Vllaznia e trajnerit Mirel Josa dhe tashmë është kthyer në “xholin” e skuadrës shkodrane. Me pak fjalë, çfarë futbollisti kanë fituar shkodranët në këtë merkato vere…
Maringlen ZHIVANI