Tuesday, June 9, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREOferta tunduese nga fituesit e kupës, por Kastrati i qëndroi besnik Vllaznisë

Oferta tunduese nga fituesit e kupës, por Kastrati i qëndroi besnik Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Lirim Kastrati do të vazhdojë të jetë pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin 2026-27. Sulmuesi anësor ka rinovuar së fundmi kontratën me kuqeblutë, duke i dhënë fund zërave që e lidhnin me një largim të mundshëm gjatë merkatos së verës. Një lëvizje e rëndësishme për klubin shkodran, që ka vendosur të besojë te cilësitë e futbollistit edhe në një moment jo të lehtë për të.

Prej disa muajsh, 27-vjeçari po kalon periudhën e rikuperimit nga një dëmtim serioz, i cili pritet ta mbajë larg fushave të lojës të paktën deri në startin e sezonit të ri. Pavarësisht kësaj situate, interesimi për ish-lojtarin e Dinamo Zagrebit nuk ka munguar aspak, çka tregon vlerësimin që vazhdon të gëzojë emri i tij në tregun shqiptar.

Sipas asaj që mëson gazeta, dy klube të rëndësishme të Superiores kanë bërë lëvizje konkrete për të siguruar shërbimet e Kastratit. Bëhet fjalë për Teutën dhe Dinamon, të cilat kanë shfaqur interes serioz për të afruar në skuadër futbollistin me eksperiencë ndërkombëtare. Kontaktet kanë ekzistuar prej javësh, ndërsa situata e kontratës së tij është ndjekur me vëmendje nga të dy klubet.

Madje më këmbëngulëse ka qenë Dinamo. Burime pranë çështjes bëjnë të ditur se blutë e kryeqytetit kanë paraqitur një ofertë tepër të favorshme në aspektin financiar, që sipas informacioneve ka kapur shifrën e afro 15 mijë eurove në muaj. Një propozim që në kushte normale do të tundonte çdo futbollist të kampionatit shqiptar, por që nuk rezultoi i mjaftueshëm për të bindur Kastratin.

Vetë lojtari ka preferuar të mos ndryshojë ambient në këtë moment të karrierës së tij. Besimi që ka marrë nga drejtuesit e Vllaznisë gjatë periudhës së dëmtimit, por edhe projekti sportiv i klubit shkodran, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në vendimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin. Në Shkodër e konsiderojnë Kastratin një futbollist me potencial të madh dhe një armë të rëndësishme për repartin ofensiv.

Rinovimi i kontratës shihet si një fitore e rëndësishme e Vllaznisë në këtë merkato. Kuqeblutë kanë vepruar me shpejtësi për të blinduar një nga lojtarët më cilësorë të organikës, duke shmangur rrezikun e humbjes së tij përballë ofertave të rivalëve. Tashmë objektivi i vetëm për Kastratin mbetet rikthimi sa më i shpejtë në fushë, me tifozët shkodranë që presin ta shohin sërish protagonist me fanellën kuqeblu në sezonin e ardhshëm.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments