Andreas Ndoji është zbulimi i fundit i futbollit në Greqi. 19-vjeçari shkodran është “bingo” e trajnerit spanjoll të Olimpiakosit, Michel, pikërisht në skuadrën që ka marrë dy yje të klasit botëror si Marcelo dhe James Rodriguez.

Edhe pse debutoi me një autogol, spanjolli nuk e humbi kurrë besimin te Ndoji, teksa ky i fundit po ia shpërblen dita-ditës. Nga minuta e parë, do ta niste edhe në fitoren e fundit të Olimpiakosit ndaj Pas Lamia, 2-0. Në golin e dytë do të vinte një assist nga ana e 19-vjeçarit që dha një pasim të mrekullueshëm nga thellësia e mbrojtjes në distancën prej 64-metrave.

Sa i përket pjesës së Kombëtares, Ndoji është një histori më vete. Ai ka qenë pjesë e Shqipërisë U-16 dhe U-17. Më pas, do të shkonte te Greqia U-17 dhe U-19, për t’u kthyer sërish te Shqipëria U-21.

Në bazë të informacioneve të fundit që ka siguruar “Sport Ekspres”, te futbollisti shkodran ka një tundim të fortë për t’u kthyer te Kombëtarja e Greqisë pas këtyre performancave të fundit. Megjithatë, duhet parë në vazhdim se cila do të jetë zgjedhja e mesfushorit shkodran, Andreas Ndoji.
Maringlen ZHIVANI