Skuadra shkodrane po has për momentin vështirësi në sulm sepse as Atsina dhe as Ribaj nuk janë duke e justifikuar ashtu si duhet veshjen e fanellës kuqeblu. Shpeshherë tifozët me të drejtë pyesin nëse ka ndonjë të ri që mund të luajë në fushë për Vllazninë. Përgjigja e vetme për momentin ka një emër: Belajdi Pusi. Lojtari i ardhur nga ekipi i të rinjve është kontigjent i ekipit të parë dhe konsiderohet si një sulmues i së ardhmes por ideja është që nuk është gati për Vllazninë e madhe.

Për këtë arsye, është rënë dakord që në bashkëpunim edhe me stafin e ekipit “B” që të kalojë aty duke parë edhe nevojën e këtij ekipi për sulmues ngaqë lojtari i tyre kryesor në këtë repart- Arenc Dibra, është i dëmtuar.

Dhe Pusi në fakt po e justifikon në mënyrën e duhur. Në tre ndeshje që ka luajtur me këtë ekip ka shënuar dy gola. Kujtojmë këtu që ai luajti edhe me Vllaznia U-19 në ndeshjet e “Uefa Youth League” dhe dy golat e vetëm që ka shënuar skuadra shkodrane në këtë kompeticion të rëndësishëm, mbajnë firmën e tij. Shumëkush është i mendimit se këtij lojtari i duhet besuar më tepër. Mbase pas janarit, gjërat do jenë ndryshe edhe për të.

© shkodrasport.com