Reali i Madridit ka ngritur Ligën e Kampioneve në qiellin e Parisit për herë të katërmbëdhjetë në historinë e tij pas një rrugëtimi gati të pabesueshëm. “Los Blancos” kanë eliminuar me radhë Paris SGnë, Çelsin dhe Mançester Sitin përpara se të triumfonin në Paris përballë Liverpulit.

Vinicius Zhunior ka qenë heroi i mbrëmjes me golin kundër Liverpulit, por arkitektët e vërtetë të suksesit të Realit në këtë edicion në Ligën e Kampioneve kanë qenë Karim Benzema, Tibo Kurtua dhe Karlo Ançeloti. Rrugëtimi i Realit drejt të katërmbëdhjetës nisi në shtator përballë Interit me suksesin 0-1 në Milano, për t’u mbyllur të shtunën në mbrëmje ndaj Liverpulit, po me suksesin 0-1.

Për të ngritur lart trofeun e lakmuar, trajneri Karlo Ançeloti ka aktivizuar plot 25 lojtarë. Tibo Kurtua është lojtari që numëron më shumë aktivizime, teksa janë 6 lojtarët që i kalojnë të 1 mijë minutat aktivizim në Champions.

TIBO KURTUA – Ka qenë shpëtimtari i skuadrës në shumë momente kritike. Ishte çelësi në suksesin kundër PSG-së, duke iu dorëzuar vetëm Mbapesë, teksa kishte neutralizuar një penallti në ndeshjen e parë kundër Mesit. Gjithashtu vendimtar kundër Çelsit me një pritje ndaj Azpilikuetës, teksa talentin e plotë e shfaqi kundër Mançester Sitit. Të njëjtën gjë përsëriti edhe të shtunën kundër Liverpulit në finale. Pa Kurtuanë në portë nuk do të kishte finale.

ANDRI LUNIN – Kompeticioni i tij ishte Kupa e Mbretit, derisa erdhi pjesa e vështirë (Atletik Bilbao në çerekfinale), aty u fut në lojë Kurtua. Në La Liga ai arriti të debutojë në fund, pasi Reali e kishte siguruar titullin. Edhe pse nuk u aktivizua për asnjë minutë në Champions, ai e ka trofeun në xhep. Ai ka treguar se është një portier i nivelit të lartë dhe do të duhet të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë nën hijen e portierit më të mirë në botë.

EDER MILITAO – Sezoni i konfirmimit të Militaos në elitë dukej se do të ishte një perlë më vete deri në momentin që Reali u përball me Mançester Sitin. Si në ndeshjen e parë ashtu edhe në atë të kthimit në gjysmëfinale ai ishte në vështirësi serioze përballë “Qytetarëve”. Edhe pse muaji i tij i fundit ishte lëkundur, kjo nuk e errëson vitin e tij të shkëlqyer. Në Champions ai humbi vetëm ndeshjen e kthimit kundër Çelsit dhe për shkak të pezullimit. Për Ançelotin është një titullar i pazëvendësueshëm.

DAVID ALABA – Duket se luan prej një jete në Madrid. Austriaku ka qenë një nga kolonat e suksesit të Realit. Jo më kot, në çdo takim që ai nuk ka qenë në gjendje optimale Reali ka vuajtur shumë në Ligën e kampioneve. I dëmtuar në ndeshjen e parë kundër Sitit, ai ishte një hije e vetvetes së tij dhe u la në stol në pjesën e parë. Mungoi edhe në ndeshjen e kthimit në Madrid si pasojë e dëmtimit, por në finale u kthye ai i zakonshmi. Trashëgimi i numrit 4 që mbahej nga Serxho Ramos nuk e ka shqetësuar aspak.

FERLAND MENDI – Një shkëmb në krahun e majtë të mbrojtjes, me shpërthime edhe në fazën sulmuese. Ky është profili i një Mendi që ka nevojë për tonin e tij më të mirë fizik për të dalë në pah. Ndeshja më problematike për të ishte ajo e vajtjes në gjysmëfinale kundër Sitit, ku “Qytetarët” e vunë në vështirësi serioze. Nuk ishte i vetmi, sepse i gjithë Reali vuajti. Nëse nuk ka probleme me dëmtimet apo pezullimet për kartonë është i padiskutueshëm në mbrojtje.

DANI KARVAHAL – Nëse gjendja fizike iu përgjigjet ai është numri 2 për Karlo Ançelotin. Gjithmonë titullar, përveç në fazën e grupeve ndaj Sherifit dhe Shahtjorit për shkak të dëmtimit. Ai përjetoi një mbrëmje plot vuajtje përballë PSG-së, ku e pati të pamundur të ndalë Mbapenë. Por nuk u dorëzua asnjëherë. Kundër Çelsit, madje, trajneri Karlo Ançeloti e vendosi dhe në qendër të mbrojtjes, duke ndalur një titan në sulm si Lukaku.

LUKAS VASKEZ – Shumë i rëndësishëm në fazën e grupeve (tri takime si titullar), por më pak i aktivizuar në fazën e eliminimeve direkte. Por trajneri Ançeloti nuk e harroi asnjëherë, duke e aktivizuar kundër PSG-së dhe Çelsit. Nëse Karvahal mungon, Karleto e di se ka një alternativë. NAÇO – Titullar në krahun e majtë në dy takime (Inter dhe PSG), titullar në të djathtë kundër Sherifit, i aktivizuar gjithashtu dhe në pozicionin e tij natyral si qendërmbrojtës (kundër Çelsit e Sitit). Një lojtar i kudogjendur për Ançelotin. Në suksesin me përmbysje kundër Sitit e mbylli takimin me shiritin e kapitenit në krah, duke entuziazmuar publikun në “Bernabeu”.

MARSELO – Me një rol më së shumti shpirtëror, ky sezon në Champions, i fundit për të me Realin, ka qenë jo fort i lehtë. Ai pati minuta kundër Shahtjorit (23’) dhe Sherifit (30’) në ndeshjet vendimtare. Shumë i rëndësishëm ishte aktivizimi i tij kundër Çelsit në çerekfinale në mungesë të Mendisë të dëmtuar. Ngritja e të 14-ës si kapiten ishte “qershia mbi tortë” për një karrierë fantastike.

FEDERIKO VALVERDE – Ai e nisi Ligën e Kampioneve si titullar, si në Milano ashtu edhe në shtëpi kundër Sherifit. Një dëmtim dhe golat e mrekullueshëm të Asensios e larguan atë nga njëmbëdhjetëshja fillestare, por pas humbjes në ndeshjen e vajtjes në Paris kundër PSGsë, Ançeloti iu kthye sërish atij. Uruguaiani është aktivizuar në pesë ndeshjet e fundit të Champions-it, duke luajtur 99% të minutave. E vetmja gjë që mungoi ishte goli.

EDUARDO KAMAVINGA – Hyri në Champions me këmbën e djathtë si lojtar i Real Madridit: në dhjetë minuta, ai i dha një asist Rodrigos për të rrëzuar Interin në “San Siro”. Në fazën e eliminimeve direkte, roli i tij ka qenë vendimtar, veçanërisht në takimet kundër PSGsë, Çelsit dhe Sitit.

KASEMIRO – Futbollisti i vetëm në formacionin e Realit që nuk i gjendet kopja. Mungon në ndeshjen e kthimit kundër PSG-së dhe në ndeshjen e parë kundër Sitit. Pa muskujt e tij Reali vuajti jashtëzakonisht në “Etihad”, ku orkestra e mesfushorëve të Guardiolës endej lirshëm pa brazilianin. Nuk ka qenë sezoni i tij më i mirë me Realin, por në mungesë të tij, madrilenët ishin gjithnjë nën alarm.

TONI KROS – E nisi sezonin dalëngadalë për shkak të një pubalgjie që e bëri të humbiste debutimin e tij në Ligën e Kampioneve ndaj Interit. Gjithashtu u detyrua të linte fushën kundër Sherifit. Që atëherë, titullar i padiskutueshëm për Ançelotin. Momenti i tij më i mirë erdhi në mes të sezonit. Në momente kur skuadra kishte nevojë për më shumë muskuj (kundër PSG-së, Çelsit dhe Sitit), ishte lojtari i parë që zëvendësohej.

LUKA MODRIÇ – Kur Siti shënonte golin e 2-0 në “Etihad”, Modriç dhe Benzema ishin të parët që folën ndërmjet tyre. Ata e dinin se janë liderët e skuadrës dhe duhet ta kthenin Realin në lojë. Titullar në të gjitha ndeshjet përveç asaj ndaj Sherifit, në fazën e eliminimeve direkte ishte ai që orkestroi lojën e Realit. Me kryeveprën ndaj Sitit ai shpëtoi Realin nga eliminimi. Asisti me të jashtmen për Rodrigon nuk do të harrohet kurrë. Truri dhe zemra e Madridit.

VINICIUS ZHUNIOR – Zbulimi i madh i Ançelotit: ai luajti 97% të minutave gjatë rrugës deri në finalen e Parisit. Ai nuk e ka parë me shumë lehtësi portën si në La Liga, por shënoi golin më të rëndësishëm, atë në finalen kundër Liverpulit që i dha të 14-ën Realit.

MARKO ASENSIO – Champions-i i tij nuk ishte shumë i njëtrajtshëm. Në momentin kur Ançeloti vendosi t’i besonte më shumë, nuk iu përgjigj si duhet. Paraqitja jo e mirë ndaj PSG-së, e nxori jashtë loje në favor të Valverdes. Shënoi një gol për t’u mbajtur mend ndaj Interit në Madrid.

RODRIGO GOESH – E nisi Champions-in me golin e fitores kundër Interit në Milano, por do të mbahet mend për golat në fazën e eliminimeve direkte. Nëse Reali qëndroi në këmbë në Champions, vendimtarë ishin golat e tij ndaj Çelsit dhe Mançester Sitit. Dygolëshi në Madrid ndaj Sitit ishte një çmenduri.

KARIM BENZEMA – Njeriu i Champions-it, pa asnjë diskutim. Në rrugëtimin drejt finales së 28 majit ishte ai që udhëhoqi skuadrën me 15 gola në 11 ndeshje, duke futur dy tregolësha ndaj Çelsit dhe Mançester Sitit. Largimi i Kristiano Ronaldos vetëm sa përforcoi më shumë figurën e tij në këtë sezon, duke thyer çdo rekord personal dhe arritur shifrat e Kristianos në nivelin e tij më të mirë.

LUKA JOVIÇ – Kontributi i tij ka qenë vetëm në fazën në grupe. Në fazën e eliminimeve direkte, atëherë kur Ançelotit i duheshin golat, italiani nuk pati besim te serbi.

EDEN HAZARD – Një tjetër sezon në Champions pa lënë asnjë gjurmë nga belgu. Operacioni dhe dëmtimet e njëpasnjëshme e kushtëzuan sezonin e tij, veçanërisht në fazën e eliminimeve direkte. Në të vetmin takim i aktivizuar si titullar, Reali u mund nga Sherifi.

GARET BEJL – Në katër Champions-et e para Bejl ka pasur një rol primar te Reali. Ky edicion ka qenë krejt ndryshe. Vetëm 7 minuta në fushë, me Ançelotin që e ka hedhur në lojë më shumë për të vonuar lojën. Dëmtimet e kanë kushtëzuar, por dhe Ançeloti nuk i ka besuar.