Ka mjaftuar një foto e publikuar në rrjetet sociale nga Karim Benzema që tifozët në Spanjë të fillojnë me hipoteza nga më të ndryshmet për afatin kalimtar të verës. Nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi në periudhën më të “nxehtë” të vitit sa i përket një transferimi të brazilianit Neymar, sulmuesi i Realit i ka hapur rrugë çdo lloj spekulimi me postimin e tij.

Prej ditësh flitet se Neymar është drejt kthimit te Barcelona, pasi nuk dëshiron të luajë më te PSG. Por fotoja e sotme, e shfaq atë përkrah Karim Benzemas, i cili e ka shoqëruar vetëm me fjalët “Nueve / Neyney #Cracks”.

Edhe kaq mjaftoi që tifozët madrilenë të ”prisnin krahëhapur“ sulmuesin, duke e menduar këtë mesazh të Benzema si një konfirmim të marrëveshjes mes palëve.

Fotoja brenda pak minutash ka pushtuar rrjetet sociale në Spanjë dhe ka ndezur edhe një herë entuziazmin e madrilenëve të cilët ëndërrojnë që me Neymar e Hazard, të krijojnë “galaktikët” e rinj për të nisur nga e para ciklin fitues në Spanjë dhe në Evropë.