Pas dy futbollistëve serbë që erdhën të enjten, Besëlidhja e ka mbyllur dje merkaton e dimrit, pasi me skuadrën lezhjane është bashkuar edhe mbrojtësi shkodran Samet Ruqi, i cili luan në krahun e majtë.

Ai ka qenë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë këtë sezon, por nuk ka pasur hapësirat e nevojshme dhe tashmë ka ardhur në Lezhë, duke e çuar në tri numrin e përforcimeve. 

PLORI – Për gazetën “Panorama Sport” trajneri Elvis Plori, i cili deklaron: “Ashtu siç ishte premtuar, skuadra nga sot (dje) është kompletuar me tre futbollistë, që zëvendësojnë tre të larguarit.

Në fillim erdhën dy futbollistët serbë, portieri dhe sulmuesi, që kanë dy ditë që po stërviten me ekipin dhe po më kënaqin me formën e tyre fizike, deri diku edhe me përgatitjen teknikotaktike.

Futbollistin shkodran e njohim, pasi ka luajtur këtu. Pa dyshim që vëmendjen kryesore do ta përqendrojmë te të ardhurit, pasi duam të kemi një konkluzion real për formën e tyre, shkurt të na bindin për atë që i kemi marrë në ekip”.