Pas fitores së madhe 3-0 të Besëlidhjes ndaj Partizanit, ka folur Arjan Sheta, veterani 38-vjeçar, që luan akoma në nivele mjaft të larta të futbollit tonë.

Sheta po zhvillon sezonin e tij të parë te Besëlidhja, ku është titullar i padiskutueshëm dhe po ndihmon ekipin lezhjan për të arritur një vend në Superioren e sezonit të ardhshëm. Mbrojtësi nuk e priste një rezultat kaq të thellë, megjithëse e kishin vlerësuar shumë ndeshjen kundër kampionëve.

“Unë bëj punën dhe deri këto momente nuk ka ndikuar diferenca e moshës. Nuk e kishim menduar një fitore kaq të thellë, por e kishim vlerësuar këtë ndeshje dhe mendonim se kishim momentin e duhur, duke parë se Partizani nuk është në moment të mirë.

Më vjen keq për Partizanin, pasi i kanë elementet dhe nuk e di çfarë ndodh me ta. Kemi për detyrë t’i vlerësojmë të gjitha ndeshjet dhe të shohim nëse do të arrijmë Superioren”, tha Sheta për Super Sport.