Besëlidhja gjatë historisë së saj 11- vjeçare që militon në Kategorinë e Parë, një pjesë të merkatos e ka orientuar në tregun e jashtëm të futbollistëve, fillimisht me lojtarë maqedonas.

Me ardhjen e Gjok Nokës në krye të presidencës së klubit lezhjan, merkatoja e lojtarëve të huaj u orientua në Serbi, nga ku erdhën shumë futbollistë.

Por, nga të gjithë këta, vetëm dy prej tyre ia dolën që të shkëlqenin, mbrojtësi Aleksandër Stojkoviç dhe sulmuesi Aleksandër Miliç. Nga armata e futbollistëve serbë që janë aktivizuar më gjatë te Besëlidhja, kanë qenë mesfushori Milan Gjorgjeviç dhe sulmuesi Kosta Bajiç, të cilët janë larguar të fundit nga ekipi.

NDRYSHON STRATEGJIA

Pas 6-7 sezonesh, merkatoja me futbollistë të huaj te Besëlidhja ndërroi gjeografi, ku nga Serbia u zhvendos në Afrikë, konkretisht në Guine. Të parët futbollistë guineas që kanë mbërritur te Besëlidhja ishin mesfushori Lansinet Sidibe dhe sulmuesi Sekou Kamara në merkaton e verës së vitit 2016.

Pas këtyre kanë nisur afrimet masive të futbollistëve guineas, duke nisur me Oumar Turad Kamara që është afruar në merkaton e janarit të sezonit 2016-2017 për të vijuar me të tjerët. Te Besëlidhja kanë ardhur shumë futbollistë guineas, por nuk kanë qëndruar të gjithë pasi nuk kanë bindur gjatë fazave përgatitore kur kanë ardhur te lezhjanët.

Pas Oumar Kamara, kanë ardhur të tjerë si mbrojtësi Olivier Dore, mbrojtësi Isiaga Kamara, Çeick Konte, Mous Bangoura, Fabio Gomes De Gunha dhe gjatë merkatos së janarit janë afruar edhe mesfushori Abubacar Soumah dhe sulmuesi Lambert Thea. Të gjithë këta kanë ardhur kryesisht nga Kavaja, shumica nga Luzi dhe një pjesë nga Besa.

TRANSFERIMET

Të gjithë këta futbollistë janë kontaktuar nga Besëlidhja nëpërmjet menaxherit të tyre shqiptar, durrsakut Kristi Memi i cili është edhe drejtori teknik i Besëlidhjes. Ndryshe nga komuniteti serb i futbollistëve, guineasit kanë qenë gjithnjë nën vëzhgimin e skuadrave të Superiores dhe janë bërë edhe transferime.

Fillimisht ishin sulmuesi Sekou Kamara dhe mesfushori Lancinet Sidibe, të cilët u huazuan te Flamurtari dhe sezonin që u mbyll ishin te Teuta, tashmë të liruar nga skuadra lezhjane. Oferta për futbollistët guineas të Besëlidhjes kanë mbërritur edhe tani, ku i pari është mesfushori me tipare sulmuesi 20- vjeçar, Oumar Turad Kamara, i cili është mes Vllaznisë dhe Kukësit.

Të gjithë futbollistët guineas kanë jetuar në qytetin e Lezhës dhe nuk kanë pasur probleme, përveç një incidenti të vogël në shkurt të këtij viti me Oumar Kamara dhe mbrojtësin Isiaga Kamara që është bërë i ditur nga ana e mediave.

Ka gjasa që edhe merkatoja e kësaj vere të sjellë ndonjë futbollist guineas, por deri tani nuk ka ndonjë lajm konkret. Me emërimin e trajnerit të ri, besohet se do të nisë edhe merkatoja e afrimeve te Besëlidhja. Lezhjanët kanë bërë maksimumin gjatë këtyre viteve për t’u ngjitur në Superiore, por nuk ia kanë arritur qëllimit.