Besëlidhja e Lezhës vazhdon marshimin e sigurt drejt objektivave të saj. Në javën e pestë të Kategorisë së Dytë, skuadra lezhjane doli me tre pikë të arta nga transfertën e vështirë ndaj Tërbunit të Pukës, duke ruajtur kreun e renditjes.
Takimi nisi me kujdes nga të dyja skuadrat, që testuan njëra-tjetrën pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës në pjesën e parë. Por pas pushimit, lezhjanët rritën ritmin dhe morën kontrollin e lojës.
Epërsia u konkretizua në minutën e 51-të, kur Rraboshta zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të bukur. Sulmuesi shkodran tregon edhe njëherë tjetër sesa i rëndësishëm është për këtë skuadër me lojën dhe golat e tij.
Vetëm dhjetë minuta më pas, Akansase vulosi fitoren me një goditje precize që la të pafuqishëm portierin vendas. Në mbrojtje, djemtë e Besëlidhjes u treguan të pathyeshëm, duke ruajtur portën të paprekur deri në vërshëllimën e fundit.
Edhe pse trajnerët provuan disa ndryshime taktike, rezultati mbeti i pandryshuar – Tërbuni 0–2 Besëlidhja – një fitore e pastër që e mban ekipin lezhjan në krye të klasifikimit.
Java e gjashtë e gjen sërish Besëlidhjen në transfertë, këtë herë në Koplik, ku do të përballet me Veleçikun, në kërkim të një tjetër triumfi për të konsoliduar pozitat në majë të tabelës.(www.shkodrasport.com)







