Besëlidhja ka pësuar një tjetër humbje, kësaj here ndaj Luzit me rezultatin minimal 1-0. Kjo ndeshje është zhvilluar pasditën e djeshme në stadiumin “Tofik Jashari” në Shijak dhe duhet thënë se, lezhjanët kanë treguar një lojë shumë të mirë, edhe pse ishin me 10-futbollistë në fushë për pothuajse 85-minuta.

Realisht, sfida nisi keq për Besëlidhjen. Në minutën e pestë, kryesori i ndeshjes nuk toleron dhe i nxjerr menjëherë kartonin e kuq mbrojtësit të Besëlidhjes, Veseli, duke e lënë skuadrën lezhjane me 10-futbollistë. Pjesa e parë nuk ka episode të tjera dhe mbyllet me rrjeta të paprekura, 0-0.

Në pjesën e dytë, ndeshja kontrollohet totalisht nga vendësit, me lezhjanët, të cilët për shkak se luajnë me një futbollist më pak, e kanë të vështirë të shënojnë. Në minutën e 60-të, Luzi sulmon rrezikshëm dhe arrin të shënojë, duke bërë që rezultati të shkonte 1-0 për ta. Në vazhdim, të dy ekipet krijojnë raste, por pa i finalizuar ato.

Në këtë mënyrë, Besëlidhja pëson një tjetër humbje nën drejtimin e trajnerit të ri Nikolin Çoçlli. Poashtu, duhet thënë se në këtë ndeshje, dy futbollistët shkodranë të Besëlidhjes, kapiteni Klejdi Dibra dhe mesfushori Samet Hepaj luajtën për 90-minuta, duke qenë ndër lojtarët më të mirë të ekipit të tyre pothuajse si gjithmonë, por pa arritur dot të bëhen ndihmesë për skuadrën lezhjane për të marrë qoftë edhe një pikë.

Pas kësaj humbjeje, Besëlidhja renditet në vendin e parafundit në tabelën e renditjes, në kuotën e nëntë pikëve në 10-ndeshje të luajtura deri më tani. /Maringlen ZHIVANI/

Luzi-Besëlidhja 1-0

Formacioni i Besëlidhjes (4-2-3-1): Demi, Jaku, Metaliaj, Dibra, Veseli, Arthur, Hepaj, Përgjoni, Danaj, Bruka, Icaro (u aktivizuan: Marku, Gjikolaj, Shehu) Tr: Nikolin Çoçlli