Arbër Shytani, ish-futbollist i disa ekipeve në vendin tonë dhe aktualisht trajner tek akademia Djelmnia ka analizuar së fundmi ndeshjen Tirana-Vllaznia. Sipas tij pozitiv është fakti që ekipi nuk po pëson gola dhe skuadra po krijon stabilitet. Por gjithashtu ka pikëpyetjet e tij nëse ky pushim i shërben për mirë ekipit apo jo pasi sipas ish-mbrojtësit, shkodranët tani dukej se po kapnin formën maksimale.

Shytani tha: “Ndeshja kundër Tiranës ishte pozitive për Vllazninë. Skuadra zhvilloi një takim me ritëm dhe ku kishte raste edhe për ta fituar deri në fund, por edhe mund ta humbiste sepse la disa herë hapësira pas. Por një pikë në Tiranë nuk është kurrë negative.

Skuadra ka ardhur në përmirësim sidomos në këto dy javë. Shoh një përmirësim tek mbrojtja si repart që ka pësuar rritje dhe duket se kritikat kanë qenë pozitive sepse po shihet se ka gjëra të mira. Ekipi gjithashtu po prodhon futboll dhe ndoshta kjo ndërprerje e kampionatit nuk duhej tani.

E them këtë se ndoshta Vllaznia tani po arrinte formën më të mirë nga sa kemi parë deri më tani në Superiore. Nuk dihet nëse ky pushim do ndikojë për keq apo për mirë, por unë personalisht do doja që kampionati të vijonte me këtë futboll që po prodhonte ekipi kuqeblu”.
Endri ÇINARI