Komedia “Humor me shkollë të mesme” ka marrë vëmendjen e duhur në Shkodër. Protagonistë të saj janë aktorët e mirënjohur të humorit të estradës së Teatrit “Migjeni”, për më tepër që pjesë e kësaj komedie ka qenë edhe çështja e Vllaznisë.

Aktori dhe regjisori i kësaj komedie Besnik Çinari në prononcimin e tij për gazetarët pas shfaqjes është shprehur shumë i emocionuar duke bërë një deklaratë shumë interesante.

“Jam tifoz sporti i çmendur dhe kam qarë për Vllazninë. Jam tash 37 vjetë në teatër si profesionist dhe s’kam pas kurrë emocione si sonte kur më kanë dalë ato figura aty përballë.

Mendova se tash po më len zani prej hallit, me pa flamurin e Vllaznisë në gjysëmshtizë.Besoj se i kemi nderuar këto figura sepse i kam edhe shokë të tanë brezat deri tek ky brezi i fundit.

Të gjithë ata që ishin në skenë i kam shokë, duke filluar nga Frederik Çapaliku që është 80 vjeç, më i vjetri ndër të tanë. Do të vlerësoja si më të përkushtum se të tanë, ai brezi i Frederik Çapalikut, Paulin Ndojës, Sabah Bizit, Selami Danit, por kemi edhe të madhin Ramazan Rragami që ndodhet në Amerikë”- është shpehur ai.

Por duhet thënë se Besnik Çinari në fund të shfaqjes gjatë interpretimit të tij kishte zgjedhur disa vargje shumë domethënëse duke thënë:

Çonju shkodranë prej gjumit çonju,
E të gjithë si vllazen në një besë shtrëngojuni,
Në Shkodër s’ka vend aspak mërzia,
N’zemër të shkodranit asht veç Vllaznia”
© shkodrasport.com