Skuadra koplikase po bën mirë në këtë kampionat. Ajo është një nga ekipet pretendente të grupit A të kategorisë së dytë dhe natyrisht që synon ngjitjen një kategori më lart.

Veleçiku ka arritur 6 fitore në 6 ndeshjet e fundit, të fundit sot me rezultatin 3-1 ndaj Tirana B.

Trajneri i tij Besnik Duli në një prononcim për “Shkodra Sport”, e vlerëson paraqitjen e futbollistëve të tij në këtë ndeshje prandaj thotë:

“Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, sidomos deri në minutën e 70-të sepse më pas tek ekipi u ndjenë shenja lodhje.

Kjo ngaqë gjithë këto ditët e fundit kemi zhvilluar stërvitje vetëm në kalçeto për shkak të kushteve atmosferike.

Gjithsesi skuadra funksionon, po fiton dhe kjo ka shumë rëndësi”. Ndërkohë i pyetur në lidhje me arritjen e objektivit të mundshëm, ngjitjen në kategorinë e parë, trajneri Duli do të shprehej:

“Jemi ende në gjysëm të rrugës sepse nuk kemi arritur asgjë. Duhet të ruajmë këtë ecuri deri në javën e 19-të dhe më pas të mundim edhe Vorën, rivalen tonë kryesore për titull në mënyrë që të sigurojmë objektivin që i kemi vënë vetes.

Nëse vazhdojmë të luajmë siç jemi duke luajtur javët e fundit, kjo është plotësisht e arritshme”.
© shkodrasport.com