Ndeshje mes Kukësit dhe Laçit përfundoi me fitoren minimale të verilindorëve. Këta të fundit triumfuan me rezultatin minimal 1-0, duke u rikthyer te fitorja pas plot 5 muajsh. Pas kësaj sfide është pikërisht trajneri i Kukësit, Bledar Devolli që ka folur për mikrofonat e MCN TV.

“Jam i lumtur për fitoren edhe për djemtë. Jemi bërë më të pjekur, dinë të vuajnë të luajnë pisët të markojnë dhe dublojnë. Dy ndeshje pa pësuar gol dhe rezultati s’ka ku shkon”, u shpreh fillimisht Devolli.

Menaxhimi i energjive?

“Ekipi është fizikisht mirë, janë çuna të rinj. Edhe pasnesër po të luajmë 120 minuta këta e përballojnë. Më pëlqejnë që kanë dëshira dhe kjo është kryesorja në futboll. Shpresa? Po mos të kisha shpresa s’do të vija në Kukës, se nuk jam i çmendur. Nga nesër rifillojmë punën me këto detyra strikte. Jemi të gjithë bashkë, kemi nevoj për të gjithë. E kam thënë që ditën e parë askush të mos mërzitet mundësia do iu vijë të gjithëve, kape shansin aty është fusha.”

Çfarë psikologjie dhe filozofie ke sjellë te lojtarët?

“Djemtë kanë dëshirë të punojnë me seriozitet. Duhet të luajmë me rregull. Kemi filluar të jemi më të pjekur, dimë të vonojmë aksionin dhe të vuajmë. Kjo është e rëndësishme në futboll. Kjo është formula.”

Dimë të luajmë pisët?

“Dimë kur menaxhojmë rezultatin, kur është një aut, kur shkon topi te portieri. Këto janë pisllëqe. Unë kam besim që Kukësi mund ta kalojë rënien. Duke filluar nga ndeshja e tjetër me këtë seriozitet dhe entuziazëm.”

Vllaznia?

“Ja thashë djemve, Kukësin duhet ta kthejmë në fortesë. Është Vllaznia apo ekip tjetër, do të luajmë njësoj do të sakrifikojmë njësoj. Por edhe me pak fat, sepse duhet edhe fati.”