I ftuar në studion e Star Sport mbrëmë ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Vllaznisë, Blendi Dibra. Drejtuesi i kuqebluve foli për emocionet e fitimit të kupës, por gjithashtu edhe për projektet e së ardhmes dhe vijimin e punës për merkaton dhe ndërtimin e skuadrës sezonin që vjen.

Dibra u shpreh: “Jemi të emocionuar që nga fitorja kundër Laçit në finale. Një sezon i mbushur me problematikat dhe peripecitë e tij u mbyll me sukses. U kurorëzua me kupën e dytë rradhazi dhe besoj se deri diku i plotësuam pritshmëritë. Ishim disi në siklet për finalen, por ia dolëm në fund falë një loje mjaft të luftuar dhe të merituar në fund.

Por pavarësisht se fituam dhe festa është legjitime në këto momente, puna do fillojë menjëherë. Ne kemi objektivat tonë në merkato ku synohet ndërtimi i një skuadre cilësore.

Po punojmë edhe në aspektin e binjakëzimit me skuadrat e huaja ku drejtues të Lokomotivës së Zagrebit, por edhe disa skautë austriakë janë prej kohësh në kontakte me ne.”
Endri ÇINARI