“Herald Marku e ka derën hapur te Vllaznia”, kjo ishte deklarata e presidentit Alban Xhaferi javë më parë duke lënë të nënkuptohet se mesfushori pëlqehej nga stafi teknik. Mëngjërashi ishte nën kontratë me Partizanin, marrëveshje që e pengonte t’i bashkohej më parë shkodranëve.
Megjithatë sot, gjithçka mori udhë teksa klubi i kuq bëri me dije fundin e bashkëpunimit, ndërsa nga ana tjetër në Shkodër po rregullojnë “rraqet” për të pritur lojtarin që bëri diferencën para dy sezonesh. Deklarata e Xhaferit u duk e sinqertë dhe me lëvizjet e fundit, tregoi se kishte thënë të vërtetën.
Nga ana tjetër, në klubin e Partizanit u prodhua një kundërpërgjigje nga ana e drejtorit sportiv. Për shtypin e shkruar, Elton Marini deklaronte se Marku ishte lojtar i kuq dhe deklarata e Xhaferrit nuk qëndronte. Madje nxitoi të tregonte edhe rregullat e FIFA-s se si një futbollist nuk mund të kontaktohet nga klube të tjera, kur është ende brenda marrëveshjes.
Padyshim në Shkodër kanë vënë buzën në gaz. Alban Xhaferi me një eksperiencë më shumë se 3-vjeçare në futboll dhe një jetë që sponsorizon në sportin e basketbollit, ka preferuar t’i thotë gjërat pa “teklif”. Ndërkohë te Partizani duken se kërkojnë të marrin rolin e protagonistëve me të veshur xhaketën e zyrtarëve.
Koha i dha të drejtë presidentit të Vllaznisë. Ndërsa rregullat e FIFA-s mbeten aty të shkruara… Herald Marku s’është më i kuq dhe pse u trumbetua si pjesë e rëndësishme e projektit të stafit teknik për sezonin e ri. Herald Marku ka marrë rrugën drejt Shkodrës. Me siguri sot Alban Xhaferi ka vënë sërish buzën në gaz. /Newsport