Ishte 18 tetori i vitit 2019, sekondat shtesë të pjesës së parë kundër Sampdorias, kur Kristiano Ronaldo ekzekutonte një ndër golat më të bukur të karrierës së tij, teksa në shtyllën e dytë ngrihej 259 centimetra nga terreni i lojës dhe godiste saktë me kokë, pas një qëndrimi në ajër prej 0.92 sekondash.

Por, kur kanë kaluar diçka më shumë se 10 muaj nga ajo kryevepër, ylli i Juventusit bën një gol thuajse fotokopje, ndonëse këtë herë ndodhej në qendër të zonës dhe kërceu “vetëm” 228 centimetra. Fatkeqësisht, kjo “perlë” e radhës shërbeu për të marrë vetëm një pikë, por fakti që ai ishte goli i dytë personal i portugezit në ndeshjen e “Olimpikos”, e bën atë kryegolashënuesin më të mirë në botë deri në këtë pjesë të vitit 2020.

Nëse llogarisim shifrat e çdo futbollisti deri në fundjavën që lamë pas, Kristiano Ronaldo numëron 24 gola të realizuar, në të njëjtën kuotë me brazilianin 33-vjeçar, Zhunior Negao, i cili aktivizohet në radhët e koreanojugorëve të Ulsan Hjunda. Të paktën kjo del nga studimi i bërë nga “CIES”, lidhur me 124 futbollistë, që ndodhen mbi kuotën e 10 golave të realizuar në vitin 2020, ku CR7 dhe Negao kryesojnë këtë renditje speciale.

Dhe kjo vazhdimësi që po tregon 35-vjeçari i kampionëve të Italisë është sinjali më pozitiv, pas asaj paraqitjeje jo të tillë kundër Romës të dielën në mbrëmje. Sepse, nëse për momentin Juventusi ngriti frenat e dorës, diçka të tillë nuk ka ndërmend që ta bëjë absolutisht jo Ronaldo, i cili në “Olimpiko” festoi edhe golat 449 dhe 450 në karrierë, në rang klubesh, për sa u përket vetëm atyre të realizuar në kampionatet ku ka luajtur.

Forma e Ronaldos është gjithashtu sinjali më i mirë që mund të ketë edhe trajneri Andrea Pirlo, në pritje të ndeshjes së madhe të radhës në Serinë A, duke kujtuar se të dielën në orën 20:45, në “Allianz Stadium” bën vizitë Napoli, skuadra që në dy ndeshjet e para ka shënuar 8 gola dhe nuk ka pësuar ende asnjë.