I suksesshëm tek futbolli i femrave, jo më kot Lazer Matija është përzgjedhur për të qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i Klubit të Futbollit Vllaznia. Në një dalje publike në emisionin “Sport Show”, ai ka folur edhe në lidhje me mbarëvajtjen e këtij ekipi dhe zhurmës që gjithmonë bëhet rreth tij.

“Ka shumë fjalë për Vllazninë, të gjithë flasin edhe pa u matur, përmendet fjala “hajdut” pa karar e shumë gjëra të tjera, por nëse nuk je brenda, nuk e kupton realisht se çfarë ndodh aty.

Vërtetë që Vllaznia ka kaluar shumë probleme gjatë këtyre viteve që ka qenë nën administrimin e Bashkisë. Të shpresojmë që të nisë sa më shpejt procesi i privatizimit dhe ky problem të marrë rrugën e zgjidhjes”- ka deklaruar Matija.

Por ndërkohë çështja “Vllaznia” tashmë ka shkuar në Gjykatën Administrative e cila do të vendosë se kush ka të drejtë të ketë vendimmarrje në rolin e Asamblesë, kryetarja e Bashkisë apo Këshilli Bashkiak?

Kjo sepse ka një përplasje mes këtyre dy institucioneve si për emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës po ashtu dhe për gjëra të tjera.

Lazer Matija është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i emëruar nga kryebashkiakja Ademi dhe i pyetur se si e sheh veten në këtë situatë kur funksionimi i këtij Këshilli tashmë ka përfunduar në Gjykatë, ai përgjigjet:

“Në rradhë të parë unë uroj që ky Bord a Këshill Mbikëqyrës të jetë i fundit në historinë e Vllaznisë, pak rëndësi ka nëse do jem unë apo jo. Nëse unë jam në atë pozicion, jam për të folur dy fjalë dhe për të kontribuar për Vllazninë.

Nuk jam aty as për të rritur pozitat e mia dhe as për të pretenduar gjë përmes atij pozicioni. Kushdo që e sheh se e ka të nevojshme të jetë në atë vend, të shkojë dhe ta marrë vendin tim qysh nesër dhe këtë gjë duhet të thotë çdo shkodran.

Mua më është kërkuar të jem anëtar i Këshillit dhe e kam pranuar me kënaqësi të jap kontributin tim me aq sa mundem. Nuk kam patur mundësi ta jap atë me futbollin e luajtur, por po e jap këtu ku jam.Unë nuk kam asnjë lloj presioni. Që nesër, nëse Gjykata nuk e njeh Këshilli Mbikëqyrës aktual, për mua njëlloj do të jetë.

Unë do të mbetem sërish tifoz dhe dashamirës i Vllaznisë. Do të vazhdoj të kontribuoj aty ku jam, tek futbolli i femrave, kështu që për mua kjo pjesë është zero. Unë do t’i bëjë thirrje Këshillit Bashkiak të kontribuonte për një privatizim sa më të shëndetshëm të Vllaznisë sepse nëse ndodh kjo, do të jetë në të mirë të ecurisë së saj të mëtejshme”.
/SHKODRA-SPORT.COM/