Kur duket se gjërat po shkonin mirë në kampin shkodran, në mënyrë të papritur në stërvitjen e djeshme sulmuesi brazilian Silvio Rodrigues Pereira Junior ka ndjerë shqetësime në gjurin e tij të djathtë.

Si rrjedhojë pas ekzaminimeve të bëra nuk duket të ketë ndonjë problem serioz megjithatë stafi mjekësor i ka rekomanduar stërvitje të lehtë dhe individuale ditën e sotme. Kështu ka ndodhur dhe sulmuesi 24 vjeçar nuk është stërvitur me grupin.

Ende nuk dihet me saktësi nëse Junior do të jetë në fushë apo jo të shtunën sepse do të shihet gjendja e tij në ditët në vazhdim. Megjithatë trajneri Lika është duke marrë masat edhe për ta zëvendësuar dhe për këtë arsye, sot në fushë në formacionin titullar është parë Zogaj në vendin e tij.

Gjithsesi shpresat janë që Junior të rikuperohet dhe të luajë të shtunën ndaj Besëlidhjes. Ai konsiderohet një pikë shumë e rëndësishme për ekipin e Vllaznisë dhe jo më kot është golashënuesi më i mirë i tij.
© shkodrasport.com