Një nga futbollistët kyç të ekipit të Veleçikut në këtë sezon futbollistik që po lëmë pas, ishte padyshim Arsen Hajdari. Ky i fundit, me golat e tij të shumtë, ishte njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm që e mbajti në lojë ekipin koplikas deri në fund në garën për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, 34-vjeçari shkodran tregon se si ishte ky sezon për Veleçikun dhe jo vetëm, teksa flet edhe për aspektin personal.

Në fakt, duke qenë se ai ka qenë forca kryesore goditëse në sulm, të paktën për fazën e dytë të kampionatit, nga sulmuesi shkodran priteshin edhe golat për Veleçikun dhe në fakt, një gjë të tillë arriti ta bëjë më së miri, teksa shënoi 17-gola në mes kampionatit dhe Kupës.
Megjithatë, për të duket se ka pak rëndësi ky fakt, pasi parësore ishte arritja e synimeve me ekipin koplikas, gjë e cila nuk u bë realitet për arsye të ndryshme.

Hajdari u shpreh se këtë sezon tek Veleçiku, trajneri Dritan Smajli kishte ndërtuar një skuadër shumë të mirë, agresive, që diti të sulmojë dhe të mbrohet shumë mirë, por gjykimi i njëanshëm në ndeshjen e fundit ndaj Valbonës, ndikoi në gjithçka. Më poshtë, mund të lexoni edhe prononcimin e Arsen Hajdarit për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

“Sezoni me Veleçikun? Si fillim, dua të them që si nga stafi teknik, me në krye trajnerin Dritan Smajli, por edhe nga ekipi, është bërë maksimumi në të gjithë sezonin. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira, sidomos në fazën e dytë, me të gjitha fitore dhe vetëm një barazim.

Në fakt, trajneri Dritan Smajli kishte ndërtuar një skuadër shumë të mirë, agresive, që diti të sulmojë dhe të mbrohet shumë mirë. Synimet ishin të qarta dhe ia arritëm deri diku. Gjithsesi, jam i kënaqur nga ky sezon.

Në fakt, nuk ishte e lehtë të prodhonim rezultat në ndeshjet e Kategorisë së Dytë, pasi siç dihet kushtet nuk janë komode dhe me skuadrat e tjera pretendente nuk kemi qenë njësoj dhe të barabartë, qoftë nga buxheti apo edhe nga faktorë të tjerë. Edhe në fushë, ne luftuam ashtu siç di Veleçiku dhe Malësia e Madhe. Megjithatë, jemi në Shqipëri dhe dihet se si manipulohen gjërat.

Problemet me arbitrimin? Arbitrimi ka ndikuar shumë këtë sezon. Gjykimi ka qenë i njëanshëm, sidomos në ndeshjen e fundit ndaj Valbonës. Megjithatë, ne u munduam fort, por nuk ia arritëm dot qëllimit për të përmbushur synimet që kishim.

Në fakt, kuptohet se ne luftuam deri në fund për Kategorinë e Parë. Punuam për këtë gjë dhe një gjë të tillë e tregojnë edhe paraqitjet tona në fushën e blertë, por shumë faktorë nuk varen nga ne, përfshi edhe fatin.

Në raport me skuadrën kryesuese dhe me rivalet direkte për ngjitje, ne jemi superiorë, pasi u kemi marrë maksimumin e pikëve. Kjo nuk kërkon ndonjë analizë të madhe. Faktet flasin vetë nga të gjitha pikëpamjet.

Në përgjithësi, ishim të motivuar për të bërë më të mirën në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni dhe natyrisht edhe për të dhënë maksimumin në të gjitha ndeshjet. Motivimi ynë plus në këto ndeshje të këtij sezoni futbollistik ka qenë edhe trajneri Dritan Smajli, së bashku me stafin e tij. Ata sollën një frymë të re në ekip.

17-gola këtë sezon futbollistik? Për mua ka qenë e rëndësishme që të fitojë Veleçiku. Më pas, nëse arrija që të shënoja edhe unë, kjo ishte një kënaqësi dyfishe, por jo parësore.

Veleçiku sezonin e ardhshëm? Sezoni i ardhshëm besoj se ka për të qenë një garë shumë e fortë, pasi ka ekipe shumë të mira. Megjithatë, shpresoj që Veleçiku të ngjitet aty ku i takon, pikërisht në Kategorinë e Parë. Si me mua te Veleçiku, si pa mua, të gjithë së bashku, duhet ta çojnë aty ku duhet këtë ekip, sepse realisht e meriton”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Veleçikut, Arsen Hajdari.
Maringlen ZHIVANI