Vllaznia është rikthyer dje në fushë për të nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Skënderbeut në transfertë, që do të luhet të shtunën në orën 16:45 në stadiumin e Korçës. Trajneri Tomas Brdariç preferoi të linte pushim skuadrën dy ditë, pikërisht të hënën dhe të martën.
Ndërsa e mërkura nisi paradite me një seancë në palestër, që u udhëhoq nga përgatitësi atletik bullgar, Mihail Tzokov. Pasdite skuadra u përgatit në fushën e Golemit, ku gjithçka nisi me një analizë të shkurtër për atë që nuk shkoi mirë në ndeshjen ndaj Partizanit.
Brdariç është i pakënaqur për mënyrën se si mbron skuadra, por ai kërkon që përmirësimi në aspektin mbrojtës të bëhet si ekip, duke marrë në mbrojtje lojtarët që luajnë në këtë repart.
Në fakt, në tri javët e para, duke qenë se forma e senegalezit Dianje nuk ka qenë optimale, trajneri ka improvizuar në qendër të këtij reparti kapitenin Gurishta, ndërsa në krahun e djathtë ka aktivizuar Arsid Krujën./panorama-sport.com/