Vllaznia zhgënjeu shumë tifozët e saj në ndeshjen e fundit kundër Egnatias. Kuqeblutë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në “Loro Boriçi” përballë rrogozhinasve, rezultat që i la të pakënaqur.

Por tani është momenti për të reaguar dhe për tu rikthyer me fitore. Ndeshjet vijnë shumë shpejt dhe që nesër Vllaznia do jetë në fushë.

Kjo për çerekfinalet e kupës së Shqipërisë ku shkodranët udhëtojnë drejt Vlorës për tu përballur me Flamurtarin. Një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël, pavarësisht se vlonjatët tashmë ndodhen në Kategorinë e Dytë. Por kjo ndeshje do jetë një provë për disa nga lojtarët e stolit të Vllaznisë.

Kjo pasi formacioni nuk pritet të jetë ai i zakonshmi dhe do ketë hapësira edhe për ata që nuk janë titullarë zakonisht. Kështu emra si Çoba, Hoxhaj apo Mustedanagic apo edhe ndonjë tjetër kanë shansin të tregojnë vlerat e tyre. Kjo kundrejt një Flamurtari, i cili pavarësisht se ndodhet në kategori inferiore, ka një ekip plot eksperiencë dhe që kanë luajtur me vite në Superligë.

Patjetër tek Vllaznia nuk ekziston aspak ndjenja e supermacië. Madje është kërkuar shumë kujdes, pasi kupa mund të jetë një objektiv më i lehtë për tu arritur. Megjithatë shansi pritet t’iu jepet disa futbollistëve, duke parë që në fundjavë Vllaznia do ketë një transfertë delikate në kampionat përballë Kastriotit.

Endri ÇINARI