Ka gati një muaj e gjysmë që zbarkoi në Shkodër, por Tomas Brdariç është përshtatur shumë shpejt me qytetin dhe ekipin. I pëlqejnë njerëzit që e rrethojnë dhe ushqimi, por mbi të gjitha paralajmëron se nuk trembet nga problemet. Edhe pse paraardhësit e tij janë ankuar shpesh për klubin, gjermani as që e mundon veten me atë që ka ndodhur më herët.
Ka ardhur me ide të qarta te Vllaznia, kërkon që ta kthejë në gjurmët e saj dhe këtë nuk ngurron që ta pohojë me të madhe për “Panorama Sport”. Gjatë një interviste të dhënë enkas për gazetën, trajneri tregon më shumë për prejardhjen e tij, sulmuesit që e kanë frymëzuar dhe përzgjedh Jyrgen Klopin dhe Hansi Flikun si trajnerët që po e çudisin në rang botëror.
Si përfundoi Brdariç në Shkodër, kush ishte njeriu që ju bindi për të marrë drejtimin e Vllaznisë?
Menaxheri Uliks Kotrri. Ai më pyeti nëse do të më pëlqente të vija në Shqipëri dhe të merrja përsipër këtë sfidë, pra ta rikthenim Vllazninë në gjurmët e saj. E mendova pak dhe pasi zhvillova një bisedë të frytshme me sponsorin Albanin Xhaferi, vendosa që ta pranoja kërkesën që më bënë.
E dini se paraardhësit tuaj janë ankuar shpesh për problematikat që ka pasur klubi, madje ekipi ka bojkotuar stërvitjen pak muaj më parë prej rrogave…?
Unë marr një përgjegjësi dhe më pëlqen të jem i drejtë në vendimet e mia, ndaj nuk e mendoj se çfarë ka ndodhur në të shkuarën.
Në këto javë qëndrimi në Shkodër çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në punën me ekipin dhe gjithashtu për qytetin dhe njerëzit?
Më pëlqejnë njerëzit këtu, lojtarët e mi dhe të gjithë ata që rrethojnë ekipin. Jam shumë i impresionuar dhe ndihem mirë në këtë qytet.
Shkodra është një qytet me tifozë të çmendur të kombëtares gjermane. Ju gëzon ky fakt?
Kjo është e shkëlqyer dhe nuk e dija përpara. Jam i befasuar.
Ju ndiheni 100 për qind gjerman apo kroat prej origjinës?
Unë jam profesionist dhe di të sillem si i tillë. Kam lindur në Gjermani, por sigurisht që gjaku im është i përzier.
Çfarë dinit për Shqipërinë përpara se të vinit këtu?
Unë jam natyrë që interesohem për të gjitha vendet dhe për Shqipërinë kisha informacione. Kam dëgjuar se kampionati këtu është shumë i fortë dhe me lojtarë të mirë e me plot përvojë.
Dimë që keni kërkuar të filmohet çdo stërvitje, për çfarë ju duhet kaq shumë ky aspekt apo thjesht është një mënyrë pune?
Më pëlqen të punoj me detajet, sepse ne duam të bëjmë diferencën, por më duhet të kuptoj hap pas hapi ecurinë e skuadrës dhe strukturën e klubit.