Trajneri i Vllaznisë, Artan Bushati, mbetet i mendimit se skuadra që ai drejton deri në fund të sezonit do të rreshtohet mes katër më të mirave të Superiores. Një gjë të tillë ai e bazon te puna që po bën skuadra, e cila po shfrytëzon maksimalisht periudhën e ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të Kombëtares. Ndonëse pas humbjes me Laçin gjërat duket se u lëkundën sa i përket arritjes së objektivit, përsëri për numrin një të pankinës shkodrane ka ende pikë në lojë, e për më tepër shpresë për arritjen e një objektivi, që është renditja mes katër më të mirave.

“Nuk duhet të mendojmë të keqen para së mirës. Kështu, me plot gojën mund të them se do të vazhdojmë të punojmë fort dhe të kërkojmë maksimumin deri në takimin e fundit të këtij sezoni. Ne nuk do ta ndalim në asnjë moment punën dhe nuk do t’i humbim shpresat. Kjo na takon ne. Por tani jo gjithçka është në dorën tonë. E rëndësishme është që ne të bëjmë punën tonë sa më mirë, duke shpresuar edhe në gabimet e rivalëve tanë direkt”.
Tomori – Në fundjavë, skuadra shkodrane do të ketë një takim relativisht të lehtë në pamje të parë, duke qenë se do të përballen me Tomorin. Megjithatë, për teknikun Bushati nuk ka takim të lehtë apo të vështirë, e po ashtu ekipe të lehta dhe të vështira. Sipas trajnerit, beratasit kërkojnë vlerësimin e duhur, në mënyrë që të merret rezultati i duhur. “Duke përfituar edhe nga ndërprerja e kampionatit, mund të them se gjithë javën që shkoi e kemi fokusuar vëmendjen te sfida me Tomorin. Edhe kësaj jave do të merremi vetëm me përgatitjet e këtij takimi. Stërvitja do të startojë sot me nga dy seanca në ditë, pasi ndaj Tomorit nuk do të njohim asnjë rezultat tjetër veç 3 pikëve. Prandaj vlerësimi ka qenë i madh për këtë skuadër, ndonëse renditet në vendet e fundit. Kjo pasi jo rrallëherë kundërshtarë të tillë na kanë nxjerrë punë në Shkodër. Unë edhe në miqësoren me Zetën kam provuar skuadrën që do të hedh në fushën e lojës në takimin me Tomorin. Skuadra është e plotë përpara kësaj sfide dhe pa dyshim do të hedh më të mirët”, – ka vijuar më tej tekniku.
Besimi – Numri një i pankinës shkodrane, Bushati, po e rrit ndjeshëm besimin e tij tek lojtarët e rinj që Vllaznia ka në përbërje dhe që Shkodra i nxjerr vit pas viti. Një nga futbollistët ku trajneri po i hedh sytë për të ardhmen e afërt është edhe shkodrani i ri Kruja. “Do të thosha fjalë pozitive për të riun Kruja. Ky i fundit jo vetëm bëri një paraqitje pozitive në miqësoren me Zetën, por një gjë të tillë po tregon edhe në proceset stërvitore. Ai shumë shpejt mund të jetë pjesë e planeve të mia, por jo vetëm, dhe të tjerë të rinj”.

Admir URUÇI