Opinion nga Ramazan Rragami
Nga ajo që po ndodh në futbollin shqiptar, jam i mendimit se ka mungesë të theksuar profesionalizmi. Si ka mundësi që Vllaznia, një skuadër me emër në futbollin shqiptar, të mos jetë lider i tij? Si ka mundësi që një Flamurtar, një Teutë e me rradhë, pa dalë pastaj tek Partizani e Dinamo, janë thuajse larg asaj që duhet të jenë? Ky kampionat ka vetëm një protagonist- Skënderbeun.
Madje jo vetëm këtë kampionat sepse po bëhet viti i tretë rresht që ai shpallet kampion. E ka bërë këtë gjë falë një investimi të fuqishëm, ndonëse nuk ka një Akademi të mirë siç ka Vllaznia, ndonëse nuk ka lojtarë të këtij qyteti, por duke bërë një përzgjedhje të mirë të lojtarëve për të shkuar tek suksesi. Po kush janë protagonistët e tjerë të futbollit shqiptar? është Shkumbini, është Laçi, është Kukësi, është Kastrioti, pa përmendur këtu edhe Bylisin. Atëherë pyes unë, çfarë profesionalizmi kemi ne në futbollin shqiptar kur tonin ia japin këta qytete të vogla. Unë nuk dua t’i nënvlerësoj këto qytete, përkundrazi kam respekt për atë çfarë bëjnë por unë e kam me këto ekipet me emër që duhet t’i japin vetes. Futbolli shqiptar nuk duhet të jetë në këtë gjendje. Nuk duhet të ndodhë kështu që ligjin në kampionatin shqiptar ta bëjnë këto katër qytete të vogla dhe mendoj se kjo është një fazë kalimtare. Janë harruar qytete të tilla si Shkodra, Durrësi etj në këtë mes. Këto ekipet e vogla vërtetë mund të jenë duke bërë një punë të mirë sot por të mos harrojmë se mund të shkatërrohen menjëherë. Sot ato kanë disa lekë, kanë mbledhur disa lojtarë dhe kanë krijuar ekip por nesër mund të shpërbëhen fare lehtë prandaj futbolli shqiptar duhet të kthehet sa më shpejt në traditën e tij.