Sfidën e fundit, që Vllaznia kishte ndaj Skënderbeut, e komentoi edhe ish-futbollisti i njohur shkodran, Ersi Çaku, i cili prej vitesh, tashmë po ushtron edhe detyrën e trajnerit.
Kështu, në emisionin “Star Sport” në Star Plus TV, Çaku, do të jepte përshtypjet e tij për takimin Skënderbeu-Vllaznia, si edhe ecurinë e kuqebluve në këtë sezon futbollistik.
“Vllaznia, sikur po lë shumë pikë me këta ekipet e fundit të tabelës. Këto janë kosto në fundin e kampionatit, sepse kemi kampionatin e kaluar, ku Vllaznia thjesht për një apo dy gola, apo edhe për një pikë, nuk doli kampion.
Ky është hap fals i Vllaznisë, sepse unë them që duhej sidomos në pjesën e dytë, kur Vllaznia kaloi edhe njëherë në avantazh, duhej sikur të menaxhohej më mirë si ndeshje, përtej atij episodit të penalltisë, kur ndoshta edhe vendosi ndeshjen, por unë them që për mua ishte një hap fals për Vllazninë, për objektivat që kanë ata sivjet.
Realiteti është që edhe skuadrat e fundit të tabelës luftojnë për objektivat e tyre, që kanë, ndoshta minimal për qëndrimin në Superiore. Kjo nuk do të thotë që Vllaznia nuk do të hasë probleme me këto skuadra. Edhe këto skuadra luajnë shumë mirë futboll dhe patjetër që ato ta studiojnë shumë mirë lojën tënde.
Për mendimin tim, atë ndeshje të së premtes, Skënderbeu nuk ishte ekipi më i mirë që kemi parë, sepse realiteti është që edhe këtë vit, Skënderbeu, ka bërë ndeshje shumë të mira, por atë ndeshje, sikur kishte edhe disa mungesa të kushtëzuara.
Një skuadër e fundit të tabelës, këto mungesa, i ndien më shumë se një skuadër tjetër, ama unë them që atë ndeshje, Skënderbeu mori atë që deshi, mos të humbiste atë ndeshje”,-tha në prononcimin e tij, trajneri i Basania U19, Ersi Çaku.
Maringlen ZHIVANI