Elis Legata, një prej trajnerëve që punon prej vitesh me moshat apo futbollin e femrave në Shkodër, aktualisht zv/trajner i Kombëtares së femrave, ishte pjesë e rubrikës Star Sport.

Ish-trajneri i portierëve, edhe tek Vllaznia, foli për kampionatin shqiptar dhe kuqeblutë në veçanti. Legata tha se ndeshja ndaj Skënderbeut është një hap fals për Vllazninë

“Ndeshja ndaj Skënderbeut është një hap fals për Vllazninë, pasi normalisht të arrish objektivat, ti duhet të kalosh një kundërshtar si Skënderbeu. Duke parë, edhe rrjedhojën e lojës, Vllaznia mund të dilte edhe me tre pikë.

Në pjesën e dytë, momenti i penalltisë, ishte i dyshimtë, por megjithatë ajo që vlen është se Vllaznia u kthye me një pikë nga Korça. Ajo ndeshje ka kaluar, kështu që mendoj se Vllaznia do të marrë prapë pikë në ndeshjet në vazhdim.

Nuk është se ka vlerë kjo pikë ndaj Skënderbeut, sepse po të shikosh renditjen, Tirana është shumë e shkëputur.

Pothuajse, është mbyllur titulli kampion. Eshtë një vend i dytë, që është “murosur” prej Laçit. Atëherë është Kukësi, Vllaznia dhe Partizani. Janë tre skuadra, të cilat pretendojnë për të kapur Kupat e Europës, pra vendin e tretë”,-tha në prononcimin e tij, zv/trajneri i Kombëtares së femrave, Elis Legata.

Maringlen ZHIVANI