Christian Panucci ka qenë i ftuar në emisioni “Rudina” në TV Klan. Trajneri i kombëtares shqiptare ka folur për shumë tema, ndër to edhe për kombëtaren shqiptare, ekip të cilin e drejton prej gati një viti e gjysmë. “Niveli i Kombëtares në këto momente është shumë i vështirë, sepse na kanë munguar shumë lojtarë.

Ka qenë një vit miqësoresh dhe Liga e Kombeve. Po mundohemi të ndërtojmë një grup me ndonjë lojtarë të Euro 2016, por na është dashur të vendosim edhe disa lojtarë të rinj për të ardhmen e Kombëtares Shqiptare”-tha ndër të tjera Panucci.

Më tej trajneri ka folur për shortin e Euro 2020, dhe ndeshjet e ardhshme të kombëtares. Ai është shprehur se që tani ndjen tensionin e fillimit të kualifikueseve.

“Përsa i përket Euro 2020, në grup është Franca, që është favorite, por ne do të bëjmë të pamundurën për të mundur Islandën dhe Turqinë. Ne do të nisemi me vullnet të mirë. Ndeshjet do të jenë të vështira, por për mua është e rëndësishme të rikuperojmë të gjithë lojtarët dhe do të mundohemi t’i luftojmë të gjithë.

Ne do të luajmë dy ndeshje në Mars dhe dy në Qershor, më pas kemi në Shtator, Tetor dhe Nëntor. Por unë që tani jam në tension. Humbja me Skocinë ka qenë një nga ndeshjet më negative që nga koha kur jam në Shqipëri. Por më pëlqen fakti që ne mundëm Uellsin, sepse është një nga 20 skuadrat e para dhe më bën të mendoj se ne kemi vlerë”, tha trajneri i Kombëtares Shqiptare.

Lidhur me marrëdhënien me Presidentin e FSHF, Armand Duka, Panucci tha se është përballur me të me sinqeritet dhe se ai ka kuptuar momentet. Panucci shtoi se ai nuk donte të ndryshonte futbollin, por të fuste më shumë profesionalizëm.

“Personalisht Armand Duka është një person special. Ne jemi përballur me sinqeritet dhe ndershmëri. Këtë vit ne kemi patur shumë probleme, por edhe pse gazetarët më kritikonin, ai gjithnjë ka kuptuar momentet. Dhe ai e di që kur të kemi të gjithë grupin do të kemi një skuadër konkurruese. Kur na mungojnë lojtarët, sigurisht që ne e vuajmë.

Unë jetoj çdo ditë që t’i rikthej Dukës besimin që më ka dhënë mua. Duka është i veçantë dhe ka kulturë mbi mesataren. Kur unë kam ardhur, Duka më ka treguar për mentalitetin shqiptar dhe për mënyrën se si e menaxhon futbollin Shqipëria.

Unë nuk doja të ndryshoja futbollin shqiptar, por desha të sjell profesionalizmin, sepse në fushë dhe në jetë ka dy mënyra për ta bërë një gjë, mirë ose keq, nuk ka një rrugë të mesme. Dhe ai më ndihmoi të kuptoj shumë gjëra dhe djemtë po ashtu. Unë mundohem të sjell profesionalizmin”, tha trajneri.

E pyetur se si do ta përshkruante veten si trajner Panucci tha: “Më kanë thënë që jam një diktator, që kam vendosur disa rregulla. Mendoj se lojtarët e mi janë mirë me mua, por ka rregulla, sepse në çdo familje ka rregulla. Lojtarët duhet të respektojnë orarin e stërvitjes, unë dua të kemi profesionalizëm, nuk dua të humbim kohë, sepse kemi përgjegjësinë e një vendi”-ka thënë ndër të tjera Panucci./telesport/