Paraqitje shumë e mirë e çiklistëve të Vllaznisë edhe në etapën e parë të trofeut “Korça” që ka startuar sot pasdite me etapën e parë të tij. Pjestarët e të gjithë ekipeve të vendit, por edhe te nje ekipi nga Maqedonia e Veriut, janë grumbulluar në Pogradec, aty ku dhe është bërë nisja e kësaj etape, me itinerar Bilishtin dhe mbërritjen në Korçë.

Gjatë garës, ka patur një shkëputje të një grupi prej 10-12 çiklistësh, ndër të cilët kanë qenë edhe katër të Vllaznisë dhe pikërisht Bruno Kola, Tefik Sallahi, Marçelo Kola dhe Defrim Dholla.

Duhet përmendur fakti se në këtë garë për Vllazninë mungon një nga çiklistët e saj më të mirë, pikërisht Astrit Kronaj i cili pak ditë më parë ka pësuar një dëmtim dhe për rrjedhojë e ka patur të pamundur të marrë pjesë në Korçë.

Pak kilometra para mbërritjes, nga grupi kryesues janë shkëputur Olsian Veliaj i Tiranës dhe Bruno Kola i Vllaznisë të cilët kanë pedaluar të vetëm deri në finish.

I pari e ka prerë atë ka qenë Veliaj, ndërkohë që Bruno Kola ka qenë menjëherë pas tij por është renditur i pari në kategorinë U23 në të cilën ai konkurron.

Por në podium për këtë kategori janë renditur edhe dy çiklistët e tjerë të Vllaznisë, pikërisht Tefik Sallahi i dyti dhe Marçelo Kola i treti.

Në kategorinë e juniorëve ndërkohë, i pari në këtë etapë është renditur Defrim Dholla po i Vllaznisë.

Një podium ka patur për ekipin shkodran edhe në grupmoshën e kadetëve ku Mateo Balaj ka mbërritur i treti në finish duke qenë edhe ai në mes më të mirëve.

Vllaznia do të synojë dominimin e saj edhe në etapën e dytë, atë të ditës së nesërme që do të mbyllë edhe trofeun “Korça”.
© shkodrasport.com