Një nga figurat e njohura të Vllaznisë së fillim viteve 90, Çlirim Bashi ka folur së fundmi për kuqeblutë dhe kampionatin shqiptar. Ish-mbrojtësi që është aktivizuar për shumë vite në Gjermani vuri theksin se shkodranët e humbën titullin në duelet me Tiranën . Gjithashtu ai shprehet se nëse luhet ndershëm në javën e fundit, Vllaznia mund të marrë kualifikimin në Europë nëpërmjet kampionatit.

Bashi tha: “Jemi në momentet e fundit të sezonit dhe po të bëjmë një analizë në vijat e përgjithshme, di të them se Vllaznia e humbi titullin në duelet me Tiranën. Në ndeshjen e parë në janar ku u ndal në barazim 0-0 në “Air Albania” , ku realisht dominoi ndeshjen. Por edhe në takimin e fazës së tretë, në Shkodër, ku ekipi po kryesonte 1-0 dhe mund të shkonte 2-0 apo 3-0 dhe Tirana e përmbysi rezultatin.

Besoj se këto dy ndeshje direkte ishin ato që vendosën fatin e titullit. Megjithatë për Europën ende çdo gjë është e hapur. Po dëgjoj shumë se Vllaznia thuajsr e ka të pamundur të hyjë në Europë nëpërmjet kampionatit. Por nëse do luhet ndershëm në javën e fundit them se shanset e kuqebluve janë 50 me 50 për të kapur Europën me kampionat.

Mirel Josa? Ai është një figurë e shquar e futbollit shqiptar dhe Shkodrën e njeh shumë mirë. Besoj se në kaq kohë sa ka mbetur ai nuk mund të bëjë magji, por rrit moralin dhe psikologjinë e skuadrës para një ndeshjeje finale të kupës kundër Laçit”.
Endri ÇINARI