Udhëtim me itinerar të çuditshëm, pritje me orë të tëra në aeroport dhe mbi të gjitha nisje që dy ditë para drejt Rumanisë nga Shkodra.

Klubi i Vllaznisë ka zgjedhur linjat tranzitore për skuadrën në ndeshjen më të rëndësishme të saj, që do të luhet kundër Universitatea Kraiovës të enjten në orën 19:30.

Të martën në mëngjes, pikërisht në orën 06:20, Vllaznia do të niset nga aeroporti i Rinasit, fillimisht me destinacion Bolonjën në Itali. Në këtë qytet mbërrin në orën 08:00, pra në një udhëtim që nuk shkon as dy orë.

Por, më e keqja është se në aeroportin “Guglielmo Marconi” të Bolonjës, lojtarët dhe stafi kuqeblu janë të detyruar të presin plot gjashtë orë, pasi linja direkte drejt Kraiovës e ka nisjen në 14:30. Avioni duhet të mbërrijë në Kraiovë rreth orës 17:20 dhe praktikisht e gjithë dita për shkodranët është në udhëtim.

Drejtuesit e Vllaznisë nuk prenotuan një çarter për udhëtimin direkt Tiranë-Kraiovë, por linjat tranzitore, në një kohë që UEFA jep pagesa solidariteti që klubet të mos i ndiejnë udhëtimet e gjata.

Mirëpo, me sa duket, bonuset e UEFA shikohen nga klubet shqiptare si shpenzime për rroga dhe merkato, në një kohë që udhëtimeve nuk u kushtohet rëndësi, edhe pse përpara janë ndeshje shumë të rëndësishme.

E njëjta gjë edhe për Tiranën, që do të udhëtojë 8 orë me autobus drejt Bosnjës, ndërsa Laçi e ndau ekipin në dy grupe kur luajti në Moldavi ndaj Petrokubit. Çudira shqiptare, që tregojnë edhe një herë problematikën e klubeve.