Ish-futbollisti, Ermal Tahiri, e quan si një Vllazni dinjitoze, atë që skuadra shkodrane tregoi në fushë në turin e dytë në Conference League, ku barazuan 1-1 me rumunët e Craiova.

Sipas Tahirit, kuqeblutë në pjesën e dytë treguan fytyrë tjetër dhe kjo për shkak të ndërrimeve të bëra nga trajneri Josa.

Gjithashtu ai deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se në krahasim me Tiranën dhe Partizanin, Vllaznia është e dubluar më mirë në postë.

Unë doja të thoja, Vllaznia dinjitoze dhe Laçi burrërore. Craiova nuk e uli për asnjë moment rendimentin. Për mendimin tim, ndërrimet që bënë Josa, në minutën e 46, i dhanë një frymë tjetër ekipit, që u shfaq ndryshe në pjesën e dytë.

Pjesa e parë, nuk ishte fort e mirë., ashtu siç e pashë unë. 15-20 minutat e para, ishin studiuese për të dyja skuadrat. Nuk ishte ajo Vllazni, që pamë në pjesën e dytë. Kishin raste të dyja ekipet.

Të treja ndërrimet që u bënë, janë të gjetura. Edhe dy lojtarët që luajtën në fillim, qoftë Boshnjaku, qoftë Juric, u përshtatën shumë shpejt. Mund të themi, se Vllaznia në krahasim me Partizanin dhe Tiranën që kemi parë, është ekipi që është i dubluar në poste, më mirë se çdo ekip tjetër.