Univ.Craiova, kundërshtari i Vllaznisë në Conference League luajti ndeshjen e dytë të edicionit në kampionatin rumun. Skuadra e drejtuar nga trajneri Balint, nuk shkoi më shumë se barazimi në shifrat 1-1 ditën e djeshme kundër U.Cluj. Ky ishte barazimi i dytë në dy javët e para të kampionatit.

Dhe shto këtu edhe barazimin kundër Vllaznisë në Europë, duket se Craiova deri në këto momente është abonuar me shenjën “X”.

Por ajo që ra në sy në ndeshjen e fundit ishte aktivizimi i lojtarëve të stolit tek Craiova. Kështu nga lojtarët titullarë që luajtën kundër Vllaznisë të enjten e shkuar, vetëm 4 ishin në fushë.

Kështu portieri Lazar, mesfushorët Cretu dhe Balaram , si edhe sulumuesi Ivan që edhe shënoi kundër shkodranëve, ishin të vetmit nga formacioni që zbriti në “Loro Boriçi” në barazimin 1-1. Dhe pavarësisht fjalëve dhe mendjemadhësisë së rumunëve për një kualifikim të sigurt duket se frika ekziston në kampin rumun.

Kjo pasi pjesa dërrmuese e futbollistëve të formacionit janë lënë pushim pikërisht për ndeshjen kundër Vllaznisë. Kuqeblutë në fund të fundit nuk qenkan edhe aq ekip i lehtë për tu kaluar.

Endri ÇINARI