Në stërvitjen e radhës së Tiranës i pranishëm ishte edhe presidenti Refik Halili. Numri një i klubit bardheblu u shfaq në “Skënder Halili” para se të niste stërvitja. Në fillim, ai takoi trajnerin Orges Shehi me të cilin diskutoi për disa minuta për gjendjen e skuadrës dhe ndeshjen e dytë me Zrinjskin.

Më pas Halili foli gjatë me yllin e skuadrës, Taulant Seferin. Mësohet se tema e bashkëbisedimit ka qenë e ardhmja e Seferit. Presidenti ka kërkuar nga lojtari që të mendojë për të ardhmen, sepse mund të ketë oferta serioze në drejtim të tij dhe sulmuesi duhet të jetë gati për një lëvizje në një kampionat më të fortë.

Sigurisht, flitet për transferim me shifra mbi 500 mijë euro që mund të marrë klubi, ashtu si edhe rroga e lojtarit. Edhe pse nuk ka ende një emër skuadre, me shumë mundësi edhe Seferi do të largohet nga Tirana këtë verë.

Klubi ka disa oferta që mund të materializohen në ditët në vazhdim. Kujtojmë që sulmuesi është nga më të paguarit te Tirana, ndërsa ishte më i miri në fushën e lojës gjatë sezonit të fundit.

Futbollisti sezonin e shkuar në 43 ndeshje, koleksionoi 19 gola, 10 asiste dhe 3814 minuta. Këtu nuk llogariten ndeshjet e kombëtares shqiptare.

POLITIKA – Tirana do të largojë yjet e saj për t’i shitur në skuadra më të mira, por vetëm pas Europës dhe me çmimet që kërkohen nga kampionët.

Në njëfarë mënyre, bardheblutë duan që të luajnë me skuadrën të plotë në Europë dhe në këto kushte nuk do të lejojnë asnjë prej yjeve të ikin. Seferi e lojtarët e tjerë si Totre, edhe pse mund të kenë oferta, do të ikin nga Tirana vetëm pasi të luhen ndeshjet europiane.

Tirana kërkon të mos prishë skuadrën që ka ndërtuar këtë sezon. Në këtë moment janë shumë lojtarë për të cilët ka interesim dhe mund të largohen në fund të sezonit.