Vetë trajneri i Francës, Didier Deschamps, tha në konferencën për shtyp: “Edhe disa francezë duan që Messi të fitojë Kupën e Botës”. Konfirmimi erdhi nga një fytyrë e njohur në futbollin transalpin, sulmuesi André-Pierre Gignac, i cili nuk e fshehu vlerësimin e tij për Lionel Messin dhe Albiceleste.

Qendërsulmuesi, sot te Tigres, shpjegoi për “Fox Sports”, pas fitores së Argjentinës kundër Holandës, se si do të ishte dëshira e tij që shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ta ngrinte trofeun e Kupës së Botës: “Në Argjentinë duan që Messi të fitojë Kupën e Botës. Unë jam francez, por do të doja që Messi ta fitonte këtë titull, sepse e meriton për gjithë karrierën e tij të ndritshme. Sjellja e tij është ajo e një lideri. Ai ende bën magji”.

Këto fjalë të tij erdhën pas ndeshjes çerekfinale kundër Holandës. Po tani që Messi ka vërtet shansin për të triumfuar, duke mposhtur Francën në finale, a do ta rikonfirmojë Gignac preferencën e tij?!

Një tjetër ish-sulmues i Francës, madje kampion bote me të, David Trezeguet, shpreh të njëjtën dëshirë, që të triumfojë Messi: “E vështirë personalisht, emocionalisht. Diçka që nuk e doja, por duhet të jetë një festë dhe është një finale e mrekullueshme. Është ajo që ne të gjithë e prisnim, për shkak të karakteristikave, historisë.

Janë dy skuadrat më të mira në Kupën e Botës. E përsëris vazhdimisht, emocionalisht, duke e ditur se do të jetë Botërori i tij i fundit, Leo e meriton të jetë kampion. Ai i bën njerëzit të ëndërrojnë, kjo nuk i heq ambiciet e Francës për të ruajtur titullin.

Franca do të kërkojë ta ruajë titullin, nuk ka dyshim. Këtu ndryshimi është mosha, Leo është në pjesën e fundit të karrierës, Mbappé është në fillim dhe do të fitojë gjithçka. Te PSG ata janë kombinimi perfekt, por Argjentina luan për Messin, gjithçka kalon përmes këmbëve të tij”.