Si gjithnjë në fund të çdo viti është koha për të bërë bilance, për të zgjedhur më të mirët. Në Shkodër nuk mund të mungonte as këtë vit një përzgjedhje nga Agjensia e Spektakleve Buna 1, e cila ka shpërndarë çmimin për trajnerin më të mirë të vitit.

Buna 1, me anë të votimeve nga publiku, ka shpallur trajnerin më të mirë të vitit, çmim ky i cili i takon trajnerit të Vllaznia U-19, Edmond Doçi, i cili është renditur në vendin e parë me 40% të votave të marra. Realisht, Doçi e udhëhoqi Vllazninë U-17 drejt titullit kampion, si edhe fitimit të Kupës së Shqipërisë me këtë grupmoshë në sezonin e kaluar, 2021-2022.

Në vendin e dytë renditet edhe trajneri i atletikës, Albert Marashi, që ka marrë 38.9% të votave. Ndërkohë, në vendin e tretë renditet trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka, me 10.9% të votave të marra.

Në vendin e katërt pozicionohet trajnerja e Vllaznisë së të rejave në basketboll për femra, Medina Mustafa, me 10.3% të votave. Realisht, gjithsecili prej këtyre emrave meriton shumë vlerësime për punën e mirë që kanë bërë në ekipet që drejtojnë.
Maringlen ZHIVANI