Mesfushori shkodran që luan për Tiranën- Gilman Lika, mund të jetë i vetmi futbollist nga Shkodra që do të luajë sonte në formacionin e kombëtares shqiptare në ndeshjen ndaj Islandës. Lika pritet të luajë si mesfushor i djathtë në këtë ndeshje. Të paktën kështu bëjnë të ditur burime pranë kombëtares kuqezi. Të tjerët që mendohet të luajnë, thuhet të jenë: Ujkani në portë, pastaj Dallku, Mavraj, Cana e Lila në mbrojtje, Meha, Bulku e Kukeli në mesfushë dhe Çani e Sadiku në sulm. Paksa e çuditshme zgjedhja e trajnerit De Biazi për sulmin teksa nuk është preferuar as Bogdani dhe as Salihi megjithëse të dy ata janë me shumë përvojë dhe nuhatës të vërtetë goli.


Megjithatë, deri para fillimit të ndeshjes, gjërat mund të ndryshojnë dhe nuk është çudi që të ketë ndonjë lëvizje. E rëndësishme është që Gilman Lika pritet të jetë në formacion dhe ky është një lajm i mirë sepse kishte disa kohë që ky lojtar nuk po preferohej shumë nga ana e trajnerit. Ndeshja Shqipëri- Islancë, luhet pas pak orësh në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës, më saktë në orën 19.00 dhe të gjithë ne presim një fitore të skuadrës tonë përfaqësuese.
www.shkodrasport.com