Cristiano Ronaldo nuk po kalon një moment të mirë. Ylli portugez ka shënuar 7 gola këtë sezon mes kampionatit dhe Champions League, por forma e tij fizike nuk është më e mira. Mosha bën të veten, madje edhe fakti që te Juventus duan të jenë gati për muajt mars e në vazhdim, aty ku fillojnë betejat e vërteta në Champions, që është objektivi kryesor i bardhezinjve.

Kritikat ndaj CR7 janë shtuar, dikush arrin ta cilësojë edhe si të mbaruar, por Giovanni Mauri nuk është dakord. Italiani punoi si përgatitës atletik me Ancelottin te Real Madrid në vitet 2013-2015 dhe e njeh shumë mirë lojtarin luzitan.

“Më duket e çuditshme që dikush ka filluar ta konsiderojë të mbaruar një kampion si Ronaldo, këto janë diskutime baresh dhe rrjetesh sociale. Nuk e njoh mirë situatën aktuale fizike të lojtarit, por njoh mirë atë dhe motorin e tij. Kur ke kaq shume fuqi, mjafton një pengesë e vogël për të të penguar.

Diçka e tillë ndikon më shumë te Cristiano sesa te lojtarët e tjerë që bëjnë më shumë km, por me një ritëm më të ulët. Dhe arma e vërtetë e CR7 është shpërthimi“, thekson Mauri. Përgatitësi atletik zbulon për Tuttosport edhe një detaj interesant gjatë kohës që punonte te “Los Blancos”.

“Nuk më kujtohet të ketë kaluar një situatë të tillë te Real Madrid. Një herë pësoi një dëmtim të vogël. Rezonanca magnetike nuk nxori asnjë problem, por lojtari ndjente dhimbje. Në fund ramë dakord të gjithë: askush nuk e njeh trupin e tij më mirë si ai vetë. Po flasim për atletin më të kompletuar të futbollit, është ende më i miri. Vetëm një lojtar ka potencialin e tij fizik, Kylian Mbappe“, përfundon italiani. /abcnews/