Kukësi është vënë në kërkim të një sulmuesi duke kërkuar me çdo kusht të përforcojë repartin e avancuar ku për momentin ka si alternativë vetëm Rexhinaldon. Marrëveshja me Shkurtajn nuk është finalizuar ende, pasi sulmuesi kërkon të shohë pista të tjera para asaj në Superiore, ndërsa është mësuar se një tjetër emër i njohur u ka thënë “jo” verilindorëve pak ditë më parë.

Skuadra e Kukësit kishte shfaqur interes për sulmuesin Berat Sadik, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e përfaqësueses së Finlandës ndërsa ka luajtur edhe në kampionate si ai zviceran e rus. Sulmuesi 32-vjeçar aktualisht është pjesë e Doksa në kampionatin qipriot, ku ka shënuar 30 gola në 41 ndeshje që nga viti 2017 kur ka firmosur për këtë klub.

Por oferta që i kanë bërë verilindorët nuk e ka bindur atë dhe i ka kthyer përgjigje negative Kukësit. Lojtari ka lajmëruar klubin e tij se nuk e tërhiqte oferta që kishte marrë nga skuadra shqiptare, edhe pse kishte kërkuar disa ditë kohë për të menduar rreth propozimit që i është bërë.

Sipas informacioneve nga Qipro, objektivi i tij është të përfundojë te një nga klubet elitare në ishull në mënyrë që të luajë në Kupat e Europës me ta, ndërsa edhe parametrat ekonomik që i ishin ofruar nga pala shqiptare nuk plotësonin kërkesat e tij. /vipsport/