Partizani dhe Egnatia do të përballen në finalen e “Final Four”, me synimin e vetëm titullin. Laçi siguroi pak ditë më parë qëndrimin në elitë, pasi elimimoi Flamurtarin në “Play-Out”. Trajneri i kurbinasve, Armando Cungu në një intervistë për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, tregoi këndvështrimin e tij. Cungu u shpreh se ka besuar se Vllaznia mund të fitonte titullin, ndërsa sa i takon finales, peshorja duket se anon nga Egnatia.

Fjala frikë nuk më pëlqen si fjalë. Një ndeshje asnjëherë nuk mund ta mendosh si të fituar, futbolli është ndonjëherë i pabesë. Nuk ka rëndësi se ndaj kujt luan, çdo ndeshje është e vështirë. Flamurtari është një ekip me emër, sikleti dhe stresi patjetër që janë prezent.

Të pamë në lot në Korçë, pas takimit me Skënderbeun. Kaq shumë e ndjen këtë ekip, Laçin?

Është hera e 3-të që vij në Laç. Kemi fituar trofe, kemi kaluar ture në Europë. Kur unë përfshihem, jap gjithçka nga vetja, natyrisht pres që diçka t’më kthehet mbrapsht. Stresi ka qenë i madh, por jam i kënaqur me skuadrën, ekipi ka pësuar rritje të madhe.

Të vjen keq që pas sfidës me Flamurtarin pati shumë ankesa, akuza, etj. Ishte Laçi ekipi më i mirë, e merituan realisht qëndrimin në elitë?

Padiskutim. Unë jam i sinqertë, flas një gjuhë, atë të zemrës. Unë e kam thënë edhe në një emision tjetër, i qëndroj kësaj gjëjë, kjo ndeshje është luajtur dhe fituar vetëm në fushën e lojës. Kush të dojë të shikojë ndeshjen në Youtube dhe të na tregojë problematikat. Komplimente edhe Flamurtarit, të jem i sinqertë nuk e prisja një Flamurtar kaq të fortë.

Keni diskutuar me drejtuesit e Laçit, do të vijoni bashkëpunimin? A keni profesor një projekt konkret?

Unë kam menduar pas ndeshjes vetëm për t’u qetësuar, pastaj gradualisht do kem kohë për të menduar gjërat. Unë do punoj gjithmonë ku të kem mundësi dhe aty ku ia vlen.


Derdhët lot për Laçin, por të gjithë e dinë që zemra juaj është në Shkodër, të erdhi keq që nuk shkuan në finale? Një tjetër sezon me shumë ëndrra, por titulli vijon të jetë makth…

Unë kam besuar se ka ardhur momenti që të çojnë një trofe në shtëpi shkodranët. Dëshira ishte shumë e madhe, atij qyteti i mungon një trofe, futbolli është fe në Shkodër. Vllaznia duhet të përmirësohet, në mënyrë që të bëjë realitet ëndrrën.


A gabuan me ndryshimin e trajnerit në fund? A ishte kjo një arsye pse zhgënjyen edhe këtë sezon, apo kaq ishte limiti i tyre?

Vllaznia ka bërë gabime që në fillim, ishte pikërisht ardhja e stafit të ri, me në krye trajnerin Qatip Osmani, i cili bëri një ndryshim radikal. Nga Vllaznia që rrezikonte rënien, u shndërrua në një Vllazni pretendente për titullin kampion. Pak javë para mbylljes, u bë një ndryshim tjetër, zgjidhja i takon drejtuesve, por në një moment të tillë, nuk e pashë me shumë arsye. Një trajner me aq sukses, natyrisht do ketë oshilacionet e veta. Cilido që vjen më pas, i duhet pak kohë për t’u përshtatur.


Në finale shkuan Egnatia dhe Partizani, si e shihni këtë finale profesor, kë sheh favoritë?

Nuk ka asnjëherë favoritë në ndeshje të tilla. Egnatia është skuadra më e mirë e elitës, me plot meritë e meriton titullin. Me këtë sistem, çdo gjë mund të ndodhë.