Skuadra shkodrane po kalon një moment të mirë dhe natyrisht që duhet ta shfrytëzojmë këtë gjë. Sigurisht që Skënderbeu është ende kampione në fuqi dhe padiskutim që do vijë për të marrë fitoren në Shkodër por edhe ne nuk heqim dorë kollaj nga pretendimet tona. Kemi pak probleme me mungesën e mbrojtësit Cicmil që është një pikë e fortë e skuadrës tonë e po ashtu edhe Kalaja ka disa probleme megjithatë ata që do luajnë, besoj se kanë për të dhënë më të mirën në fushë. Objektivi jonë është i qartë, për ta fituar këtë ndeshje por edhe një barazim nuk do ishte keq ndaj kësaj skuadre. Besoj se këtë herë do kemi edhe më shumë tifozë në mbështetje dhe sëbashku të kërkojmë një fitore të Vllaznisë”- ka thënë ai. Ndërkohë lajmi i publikuar sot në mediat e shkruara për një konflikt në mes tij dhe futbollistit Yll Hoxha kuptohet që ka trazuar gjërat në kampin shkodran. Por në fakt, pjestarët e tij më shumë janë habitur nga ato çfarë janë shkruar sepse sipas tyre, e vërteta nuk ka qenë ajo që është shkruar. Këtë e ka thënë edhe vetë trajneri që në një komunikim për mediat, kuptohet që është pyetur edhe në lidhje me këtë çështje dhe ai ka dhënë versionin e tij duke thënë: “Jam surprizuar edhe unë nga këto tituj bombastikë gazetash dhe në fakt është për turpin e tyre që e transmetojnë në një mënyrë të tillë sepse nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin sikurse nuk nderon edhe një gazetë shumë të respektuar në opinion sportiv shqiptar për të bërë shkrime të tilla të paqëna.Gjithsesi, patjetër që ka patur një problem. Ka patur një thyerje disipline të cilën unë si trajner nuk mund t’ia lejoj jo vetëm Yll Hoxhës por asnjë sportisti në fushën e stërvitjes kur sillet në një mënyrë të tillë joprofesioniste. Në këto kushte, i kam kërkuar lojtarit të dalë jashtë nga stërvitja. Më vonë pastaj pas përfundimit të stërvitjes, ai në dhomat e zhveshjes ka kërkuar më tepër sqarime dhe nuk ka patur as grushtime, as konfrontime a ku di gjë se çfarë është shkruar. Thjesht ka qenë një moment kur sportisti nuk është treguar profesionist dhe në fakt nuk është hera e parë për të që bën të tilla gjeste dhe prandaj unë si trajner nuk mund t’i lejoj gjëra të tilla. Nuk mund të lejoj askënd të prishë atmosferën e grupit, për të prishur momentin e mirë apo në fund të fundit për prishur jo vetëm punën e Armando Cungut dhe shokëve të tij, por të klubit Vllaznia. E kam thënë edhe herë të tjera, Vllaznia nuk i përket një personi por një qyteti të tërë dhe në këto kushte, nuk ka të drejtë asnjë person të prishë emrin e saj me gjeste të tilla”. Numri 1 i pankinës shkodrane ka sqaruar shumë gjëra por në media ka dalë edhe një shprehje e tillë: “sa të jem unë, ai nuk ka vend tek Vllaznia”. I pyetur nëse e ka thënë një gjë të tillë, Cungu përgjigjet: “I kam thënë që “ti nuk mund të luash futboll për qejfin tënd këtu sa të jem trajner i Vllaznisë”. Dhe kjo nuk është vetëm për Hoxhën por për të gjithë futbollistët. Futbolli ka rregulla dhe duhen zbatuar. Të ishte për qejf, do hyja sot edhe unë të luaja futboll”. Trajneri i Vllaznisë ka dashur të shpjegojë edhe arsyet pse ky futbollist i ardhur me bujë në merkaton e verës, nuk është aktivizuar aq sa duhet deri në këtë moment të kampionatit dhe prandaj ka thënë: “Sa i takon aktivizimit të lojtarit, ia kam bërë të ditur atij se pse nuk luan, por në fund të fundit nuk i jap llogari atij nëse luan apo jo. Jam unë personi që vendos për këtë gjë. Të jetë i bindur ai dhe të gjithë se sa herë që një lojtar ka qenë në gjendje të mirë, ka zbritur në fushë dhe ka luajtur. Këtu nuk kemi ardhur të luajmë futboll sipas qejfit të gjithësecilit, sikurse edhe unë nuk kam ardhur me djersën e djemve por për të bërë maksimumin. Kush ka qenë serioz dhe korrekt, ka zbritur në fushën e lojës, kush ka ardhur për t’u talluar, sigurisht që nuk ka vend tek Vllaznia e Shkodrës”. Pyetja e fundit, ajo që bëhet normalisht në raste të tilla, është ajo se çfarë do të ndodhë me këtë futbollist dhe a do të vazhdojë ai të jetë pjesë e skuadrës. Përgjigja e Cungut është e tillë: “I takon drejtuesve të klubit për të marrë masat e duhura. Mua nuk më takon të bëj komente të tilla. Mua më takon të mbaj rregullin dhe disiplinën në skuadër dhe të ruajmë emrin e mirë të Vllaznisë së Shkodrës. Kush tenton ta baltosë, besoj se nuk ka vend në fushën e lojës. Kjo është e thjeshtë”.

© shkodrasport.com