Vllaznia në volejboll për femra ashtu siç pritej, e ka humbur ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, atë ndaj Teutës me rezultatin 3-0. Takimi është luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe ka qenë i pari i zhvilluar për këtë kompeticion. Vajzat shkodrane janë munduar të bëjnë maksimumin e tyre por  e kanë patur të vështirë. Seti i parë i ndeshjes është me shifrat 25-17 ndërsa i dyti dhe i treti kanë patur nga një pikë më tepër, 25-18 dhe 25-19.

Natyrisht që me këtë humbje tashmë Vllaznia ka pak shanse për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës. Siç dihet, ajo është në grup edhe me ekipin kampion në fuqi, Barleti Volej si dhe me Lushnjën. Me këtë të fundit do të luajë sot dhe kuptohet që pritet fitore megjithatë ajo nuk do të mjaftojë për të qenë në katërshe sepse sfida përcaktuese është ajo me Barleti Volej që do të luhet të dielën. Megjithatë, vajzat e drejtuara nga trajnerja Sadije Gogaj kuptohet që objektivin kryesor e kanë të përqendruar tek kampionati, për të qenë në mes katër ekipeve më të mira të tij që do të thotë se do sigurojnë një vend në plej- of. E ndërsa femrat kanë pak shanse që të vazhdojnë rrugën për fitimin e kupës, tjetër gjë mund të thuhet për ekipin e meshkujve të Vllaznisë. Në ndeshjet që do të nisin këto ditë, djemtë e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi kuptohet që hyjnë në garë për të fituar këtë trofe. Ata vijnë pas një trofeu të fituar në Kërçovë të Maqedonisë, pikërisht të “Kupës së Flamurit” dhe natyrisht që janë të motivuar për të bërë më të mirën edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

© shkodrasport.com